SHBA - Presidenti amerikan Barack Obama emëroi John Brennan në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme.

Zoti Brennan zëvendëson Gjeneralin David Petraeus, i cili dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të CIA-s për shkak të një aferë jashtëmartesore.

John Brennan ka një eksperiencë 25-vjeçare në Agjencinë e Zbulimit Amerikan dhe aktualisht është këshilltar kryesor i Obamës për luftën kundër terrorizmit.

Gjithashtu Brennan ka qenë pikë kyçe në organizimin e operacionit të trupave speciale amerikane për vrasjen e armikut numër 1 të Amerikës Bin Laden.

Ndërkohë Presidenti njoftoi zyrtarisht dhe emërimin e Chuck Hagel, si Sekretar të ri të Mbrojtës. Hagel një veteran i luftës në Vietnam është i njohur për gjuhën kritike ndaj Izraelit dhe mbështetës i përpjekjeve për dialog me Iranin.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, presidenti Obama vlerësoi kontributin e Brennan dhe Hagel në ruajtjen e sigurisë së vendit.

Duke vlerësuar profilin profesional të këtyre dy emërimeve, Obama theksoi se janë zgjedhje e amerikanëve për amerikanët, dhe jo zgjedhje të ardhura nga demokratët apo republikanët.

Emërimi i tyre duhet të konfirmohet nga Senati për t’ju lejuar atyre që ta ushtrojnë postin e tyre të ardhshëm.

Redaksia online
(eç/lç/shqiptarja.com)