Presidenti amerikan, Barack Obama dënoi ashpër idenë, të paraqitur nga organizata të ndryshme terroriste, sipas të cilave Perëndimi do të luftonte kundër islamit, që është një gënjeshtër e tmerrshme.
Komunitetet myslimane, duke përfshirë këtu intelektualët dhe udhëheqësit fetarë kanë përgjegjësinë për të luftuar jo vetëm kundër keqinterpretimeve të islamit, por gjithashtu kundër gënjeshtrave sipas të cilave ne jemi të angazhuar në një përplasje qytetërimesh", deklaroi Obama ditën e fundit kushtuar luftës kundër grupeve xhihadiste.
"Ideja, sipas të cilës Perëndimi është në luftë me islamin është një gënjeshtër e tmerrshme. Kushdo qoftë feja jonë, ne kemi të gjithë përgjegjësinë për ta hedhur poshtë këtë ide", shtoi presidenti amerikan para përfaqësuesve të 60 vendeve të mbledhura në samit në Uashington.
"Ky koncept është themeli mbi të cilin terroristët ndërtojnë ideologjinë e tyre dhe nëpërmjet të cilës ata provojnë të justifikojnë dhunën", theksoi Obama.
Duke përmendur se kishte bërë një thirrje në shtator të vitit 2014, gjatë asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për të çrrënjosur ekstremizmin e dhunshëm, presidenti amerikan u kërkoi të gjitha vendeve të avancojnë me propozime konkrete në këtë kuadër gjatë seancës së ardhshme në vjeshtë./atsh/