UASHINGTON, 20 dhjetor /ATSH-ANSA/ - Rilindja e Amerikës është reale, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama në fjalimin e përjavshëm përpara kombit, ku bëri një pasqyrë të përparimeve domethënëse të vendit gjatë vitit 2014 si edhe përgjatë gjashtë viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.
"2014-ta ishte viti më i mirë përsa i takon rritjes së numrit të të punësuarve që nga viti 1990, me gati 11 milionë vende pune gjatë 57 muajve", deklaroi Obama.
"Amerika është prodhuesi numër një në botë i naftës dhe gazit. Industria e makinave po e merr veten. Falë Affordable Care Act, 10 milionë amerikanë kanë patur sigurime shëndetësore vetëm këtë vit. Ne kemi shkurtuar defizitin me dy të tretat", theksoi presidenti amerikan.
Përsa i takon politikës së jashtme, Obama tha se Amerika është lider në botë. "Amerikan është e para edhe në luftën kundër ISIS-it dhe kundër epidemisë së Ebolas", deklaroi ai.
"Po drejtojmë përpjekjet globale për t'u përballur me ndryshimet klimatike", shtoi ai.
"Tashmë, po kthejmë faqen në marrëdhëniet tona me Kubën. Për më tepër, në më pak se dy javë dhe pas 13 vitesh misioni ynë në Afganistan do të marrë fund", shtoi Obama./ a.jor.