SHBA - Më 21 janar Presidenti Barak Obama filloi mandatin e ri katërvjeçar me një ceremoni publike në Capitol Hill. Presidenti bëri betimin teksti i të cilit u lexua nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts. Më pasi Obama mbajti një fjalim që u ndoq nga disa qindra mijë njerëz që kishin mbushur lëndinën qendrore të kryeqytetit amerikan.

Gjatë fjalës së tij Presidenti u bëri thirrje amerikanëve të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e vendit.
Në vijim presidenti foli mbi të drejtat që sanksionon Kushtetuta amerikane "për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë" dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin demokracinë kudo në botë.


Më pas siç e do tradita kur presidenti merr detyrën ai kaloi në këmbë së bashku me zonjën e parë duke përshëndetur njerëzit që kishin mbushur trotuaret në të dy anët e bulevardit për në Shtëpinë e Bardhë.

Të hënën në mbrëmje, nën tingujt e këngës "Let's Stay Together", kënduar nga Jennifer Hudson, presidenti amerikan Barak Obama dhe zonja e parë Michelle ishin në qendër të vëmendjes në ballon përuruese në Washington e cila e mbylli dhe festimet me rastin e inaugurimit të presidentit.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)