Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar programin amerikan të lotarisë së green card pas një sulmi me armë në Universitetin Brown javën e kaluar, ku humbën jetën dy persona.

I dyshuari, një shtetas portugez që u gjet i vdekur të enjten, kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave të diversitetit (DV1) në vitin 2017 dhe kishte përfituar green card.

Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, tha se e ka ndalur programin e vizave me urdhër të Trump për t’u “siguruar që asnjë amerikan tjetër të mos dëmtohet nga ky program shkatërrues”.

Zyrtarët amerikanë thanë se besojnë se i dyshuari, Claudio Neves Valente, 48 vjeç, kishte vrarë gjithashtu profesorin portugez të Institutit të Teknologjisë së Massachusetts (MIT), Nuno Loureiro, më herët gjatë javës.

Programi vë në dispozicion deri në 50 mijë viza çdo vit përmes një procesi përzgjedhjeje të rastësishme nga vende me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së.

Në një postim në rrjetet sociale, Noem tha se Trump kishte “luftuar më parë për ta mbyllur” këtë program që në vitin 2017, pasi tetë persona u vranë në një sulm me kamion në Nju Jork.

Sipas Noem, shtetasi uzbek Sayfullo Saipov, mbështetës i Shtetit Islamik dhe i dënuar me disa dënime të përjetshme për atë sulm, kishte hyrë në SHBA përmes programit DV1.

Komentet e saj u bënë disa orë pasi Neves Valente u gjet i vdekur në një ambient magazinimi në Salem, New Hampshire. Policia beson se vdekja nuk përfshinte persona të tjerë.

Autoritetet thanë se pamjet video dhe informacionet nga publiku i çuan hetuesit te një kompani makinash me qira, ku gjetën emrin e të dyshuarit dhe e lidhën atë me personin e kërkuar, pas një kërkimi gjashtëditor në disa shtete.

Ai u gjet me një çantë dhe dy armë zjarri. Provat e gjetura në një automjet aty pranë përputheshin me vendin e ngjarjes në Universitetin Brown në Providence, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Rhode Island, Peter Neronha.

"Lajm i keq" për Shqipërinë

Shumë qytetarë në Shqipëri mund ta shohin si një lajm të keq këtë masë të qeverisë amerikane. Edhe pse nuk është një anullim, por një pezullim, siç lexohet në njoftimin e Sekretares për Sigurinë e Brendshme Amerikane, lotaria amerikane në Shqipëri është aplikuar masivisht ndër vite. Nëpërmjet saj, shumë shqiptarë ndodhen sot në SHBA ku kanë ndërtuar jetën e tyre. Megjithatë këtë vit, procedurat për të nuk u aktivizuan zyrtarisht, duke lënë me pikëpyetje shumë aplikantë potencialë që DV Lottery e shohin si një mundësi për të vijuar jetën e tyre në SHBA. Deri më sot (19 Dhjetor) nuk ka patur një njoftim apo shpjegim zyrtar në lidhje me këtë.

Programi i "Lotarisë Amerikane" ka marrë miliona aplikime çdo vit nga e gjithë bota, deri në 20 milion të tilla në vitin 2025 sipas La Repubblica, e cila saktëson se nga shifra totale e aplikuesve janë shpallur fitues rreth 131 mijë të tillë.