Amerikanët presin me kureshtje debatin e parë në prag të zgjedhjeve presidenciale mes presidentit aktual Biden dhe paraardhësit të tij Trump. Ky i fundit e cilësoi një plak të ngathët që ka nevojë për trajtim, por Biden i kujtoi se në 2020 Trump ka humbur dy debate përballë tij.
Presidenti Amerikan Joe Biden dhe ish-Presidenti Donald Trump do të debatojnë në mbrëmje në një moment kyç për fushatat e tyre lidhur me zgjedhjet e 5 nëntorit. Përballja e së enjtes është e para që dy presidentë amerikanë do të kenë me njëri-tjetrin dhe po ashtu është hera e parë që Biden dhe Trump do të jenë në të njëjtën dhomë që kur debatuan për herë të fundit në tetor 2020. Trump anashkaloi inaugurimin e Biden në janar 2021 dhe që atëherë ata kanë sulmuar njëri-tjetrin.
Ditët e fundit, Trump është tallur me përgatitjen e debatit të Biden dhe sugjeroi se ai do të kishte nevojë për një trajtim mjekësor për ta përballuar.
Trump ka pretenduar prej kohësh se Biden nuk mund të bashkojë as dy fjali. Megjithatë, kohët e fundit, Trump nuk e përjashtoi mundësinë që Biden mund të ketë një paraqitje më të fortë, sesa plaku i ngathët që ai e ka portretizuar
Nga ana e tij, në mes të majit, pak para se të binte dakord për debatin e së enjtes, Biden tha: "Donald Trump humbi dy debate ndaj meje në vitin 2020. Që atëherë, ai nuk është paraqitur për një debat." Trump ka anashkaluar disa takime të tilla kundër kundërshtarëve republikanë në procesin e emërimit presidencial të partisë në fillim të këtij viti.
"Tani ai po sillet sikur dëshiron të debatojë përsëri me mua. Epo, ma bëj ditën më të bukur, mik", tha Biden.