Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha të dielën se nëse Hamasi bie dakord mbi marrëveshjen për t'i dhënë fund luftës në Gazë, Uashingtoni pret që edhe Izraeli ta pranojë planin.
"Ky ishte një propozim izraelit. Të gjitha pritshmëritë tona janë që nëse Hamasi bie dakord me propozimin, që atyre iu përcoll si një propozim izraelit, atëherë Izraeli do të thoshte po," tha zoti Kirby në një intervistë në programin televiziv "This Week" të rrjetit ABC News.
Të dielën një ndihmës i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se Izraeli e ka pranuar një projekt marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gazë, e cila po çohet përpara nga Presidenti Joe Biden, edhe pse plani sipas tij nuk është i përsosur dhe ka nevojë për shumë ndërhyrje.
Në një intervistë për gazetën britanike “Sunday Times”, këshilltari i kryeministrit Netanyahu për politikën e jashtme, Ophir Falk tha se Izraeli kishte rëndë dakord me propozimin e Presidentit Biden, duke shtuar se “nuk është një marrëveshje e mirë, por se Izraeli dëshiron lirimin e të gjithë pengjeve”.
“Ka shumë elementë që duhen diskutuar”, tha ai duke shtuar se kushtet e Izraelit, përfshirë lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit nuk kanë ndryshuar.
Të premten, Presidenti Biden ofroi hollësi për një plan me tre faza, që sipas tij ishte plan i qeverisë së Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
Faza e parë e marrëveshjes do të përfshinte armëpushim si dhe lirimin e një numri të personave që po mbahen peng,
Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura gjallë, përfshirë ushtarët dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga Gaza.
Ndjekja e planit, bazuar në këto faza, duket se nënkupton se Hamasi do të vazhdonte të luante rol në marrëveshjet shtesë të ndërmjetësuara nga Egjpti dhe Katari, çka duket se mund të bjerë ndesh me vendosmërinë e Izraelit për të rifilluar fushatën për eliminimin e grupit Hamas, që ka mbështetjen e Iranit.
Këshilltari Ophir Falk konfirmoi qëndrimin e zotit Nentanyahu se nuk do të ketë “armëpushim të përhershëm pa u plotësuar objektivat e Izraelit”.
Deri tani, Hamasi e ka mirëpritur nismën e Presidentit Biden.
“Fjalimi i zotit Biden përfshinte ide pozitive, por ne duam që propozimi të materializohet brenda kornizave të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që plotëson kërkesat tona”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, për rrjetin Al Jazeera të shtunën.
Hamasi kërkon garanci për dhënien fund të ofensivës në Gazë, tërheqjen e të gjitha forcave izraelite, lëvizje të lirë për palestinezët dhe ndihmë për rindërtimin e Gazës.
Ndërkohë, në Izrael vazhdojnë protestat kundër qeverisë Netanyahu dhe mënyrës se si ai po e zhvillon luftën në Gazë.
Të shtunën, policia përdori pompa uji me presion për shpërndarjen e protestuesve. Në Tel Aviv mbahen protesta të vazhdueshme, me thirrjet kundër qeverisë së Izraelit dhe kërkesave për lirimin e pengjeve.
Sulmi i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, la të vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë ndërsa u rrëmbyen rreth 250 vetë, sipas të dhënave izraelite.
Bombardimet izraelite dhe ofensivat tokësore kanë vrarë më shumë se 36,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.
Izraeli thotë se gjatë luftimeve ka humbur 290 trupa./ VOA