Bashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, paraqitën sot në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-rezolutë ku dënohen me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë . Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.
“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë.
Projekt-rezoluta, tekstin e së cilës e ka parë Zëri i Amerikës, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t'u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike. Përveç zotit Torres projekt-rezoluta ka si autorë tre bashkëkryetarët e tjerë të Grupit të Kongresit për Çështjet Shqiptare, ligjvënësi tjetër demokrat Jim Himes dhe republikanët Lisa McClain dhe Robert Aderholt.
Më 7 shtator, Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë , duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi. Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, u shpreh në një deklaratë se "Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik". Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.
Më 9 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, përfshirë sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
"Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun," tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.
"Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë", shtoi ai.
Irani goditi sërish një prej sistemeve të rëndësishme informatike, atë të regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS, siç konfirmuan autoritetet e Shqipërisë një ditë më pas. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu mbështetjen për Shqipërinë në një telefonatë me kryeministrin Edi Rama dhe tha se
"Uashingtoni nuk do të tolerojë sulmet kibernetike që synojnë SHBA-të apo aleatët e tyre në NATO".
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Teknologjinë Kibernetike dhe atë në Zhvillim, Anne Neuberger tha se sanksionet e menjëherëshme ndaj Iranit ishin pjesë e një strategjie për të vënë para përgjegjësisë aktorët e papërgjegjshëm në hapësirën kibernetike.
“Kjo është arsyeja që kur pamë sulmin iranian ndaj Shqipërisë, që ndërpreu shërbimet e qeverisë shqiptare për qytetarët e saj, ne dhe vendet e tjera e denoncuam për të vënë para përgjegjësisë Iranin, për ta bërë të qartë që pas tij ishte Irani, dhe për të imponuar pasoja”, tha ajo./VOA