Protestat pro-palestineze kanë pushtuar botën, duke hyrë edhe brenda institucioneve shtetërore.
Një rast i tillë ka ndodhur në SHBA, ku Sekretari i Shtetit Antony Blinken teksa fliste gjatë një seance dëgjimore në Kongres, dhjetëra protestues i ndërprisnin fjalën disa herë radhazi, pavarësisht shoqërimeve të shumta nga policia e Kapitolit.
Protestuesit kishin lyer duart me bojë të kuqe duke nënkuptuar përfshirjen e SHBA-së në vrasjen e mijëra palestinezëve nga lufta në Gaza dhe bënë thirrje për armëpushim.
Blinken u mundua të qetësojë grupin e protestuesve duke thënë se ai merr parasysh të gjitha opinionet e qytetarëve në lidhje me situatën në Gaza.
“Të gjithë ne jemi të përkushtuar për mbrojtjen civilëve. Të gjithë ne e dimë atë që po ndodh ndërsa flasim. Të gjithë ne jemi të vendosur t’i japim fund”,- tha ai.
“Por të gjithë ne e dimë domosdoshmërinë e qëndrimit në këmbë me aleatët dhe partnerët tanë kur siguria e tyre dhe kur demokracitë e tyre kërcënohen. Kjo është ajo që po ndodh tani. Ne qëndrojmë me vendosmëri me ta, ashtu siç qëndrojmë me vendosmëri për mbrojtjen e civilëve të pafajshëm.”-theksoi Blinken.