TIRANE-  Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i refuzon vizën zv.ministres së Mbrojtjes të Shqipërisë, Arta Musaraj. Përpjekjet e herëpashershme të saj për të arritur marrjen e “lejëkalimit” për në SHBA në funksion të pjesmarrjes në disa aktivitete të ndryshme në Uashington kanë dështuar, për shkak të mungesës së sinqeritetit me shtetin amerikan dhe mashtrimit me dokumente.

Burimet brenda ambasadës së SHBA në Tiranë bëjnë me dije se gjithë problemi qëndron në faktin se Musaraj nuk kishte informuar se priste një fëmijë teksa ka shkuar në shtetin amerikan dhe ka lindur atje vajzën. Pikërisht mosnjoftimi nga ana e saj për autoritetet amerikane në lidhje me të qenit shtatzanë në momentin që ka hyrë në SHBA ka sjellë dhe reagimin e tyre, ku në rastin më të parë që është kthyer në Shqipëri, pavarësisht se vajza e saj është shtetase amerikane tashmë, për zv.ministren shqiptare të Mbrojtjes, marrja e vizës për të hyrë në SHBA është e pamundur. Dhe duke qënë se shteti amerikan është strikt përsa i përket rregullave për t’u zbatuar kthimi i saj në Shqipëri u shoqërua me mbylljen e derës njëherë e përgjithmonë për të vajtur në SHBA.

Numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes nuk e ka mohuar faktin se i është refuzuar viza për të marrë pjesë në një aktivitet të Institutit të Politikës Botërore në Uashington ku do diskutohej në lidhje me dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar në Ballkan dhe ku Musaraj kishte për të mbajtur fjalën e saj, aktivitet që zhvillohej në fundin e shtatorit të vitit të kaluar. Madje ajo vetë shpreson se mund ta marrë vizën dhe nëse jo nuk pretendon të jetë një problem i pariparueshëm. Sipas Insitutit amerikan, e shënuar si një njoftim shumë i rëndësishëm, pjesëmarrja në të gjitha ngjarjet aty kërkon një dokumentacion të rregullt për secilin pjesmarrës, i cili duhet të marrë një konfirmim dhe nga autoritetet shtetërore, për të parë përputhshmërinë e emrin të personit me elementët bazë të rregullave të brendshme të shtetit amerikan.

 Nga ana e saj, vetë zv.ministrja e Mbrojtjes Arta Musaraj në një komunikim elektronik me drejtuesin e këtij insituti në SHBA, ish-ambasadorin në Vatikan, Melady nënvizon se “shpreh zhgënjimin tim për pamundësinë për të vizituar Institutin e Politikave Botërore dhe për të mbajtur leksion në fakultet dhe para studentëve të këtij institucioni madhështor, dedikuar forcimit të vlerave të Amerikës në të gjithë botën dhe për të mbajtur këtë vend të sigurt, si dhe forcimin e standardeve demokratike. Fatkeqësisht leksion im mbeti në letër (dhe mënyra e vetme për të ndarë atë me komunitetin IËp është përmes ueb në faqen zyrtare të Institutit, padyshim ndaj këtë Ese me ju përmes këtij email”. Ajo i shpreh mirënjohjen ambasadorit dhe garanton se do ketë sërish bashkëpunim qoftë dhe përmes postës elektronike në faqen zyrtare të këtij Instituti.

 Pra duke parë të gjitha këto adresa elektronike përmes të cilave vertetohet saktësisht refuzimi i hyrjes së numrit dy të Ministrisë së Mbrojtjes Arta Musaraj në SHBA, tregon fare qartë se emërimet në dikasteret shqiptare, madje në postet më të larta të saj nuk kalojnë përmes një filtri real dhe të domosdoshëm për një shtet serioz dhe që kërkon me ngulm integrimin në BE. Aq më tepër kur bëhet fjalë për zv.ministren e Mbrojtjes, tashmë që Shqipëria prej vitit 2009 është anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO dhe lëvizja e titullarëve të lartë në vendin kryesor të NATO-s, SHBA është një domosdoshmëri. Por kur numri dy i këtij dikasteri, pavarësisht gradave shkencore që mban, është person i padëshirueshëm pikërisht në vendin numër një të NATO-s dhe as një vizë të thjeshtë nuk mund ta marrë për shkak se ka mashtruar autoritetet amerikane, problemi bëhet akoma më i rëndë.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)