Administrata e Presidentit Trump njoftoi të martën sanksione kundër një kompanie ruse të kontrolluar nga shteti që ka ndihmuar qeverinë e Venezuelës të shmangë embargon amerikane të naftës dhe i ka mundësuar Presidentit Nicolas Maduro të qëndrojë në pushtet.
Zyrtarët e administratës thanë se kompania Rosneft Trading S.A. dhe presidenti i saj, Didier Casimiro, do t'i shtohen një liste të zezë financiare, një masë kjo që pritet ta nxjerrë në masë të madhe atë vetë si dhe kompaninë që ai drejton nga sistemi financiar global.
Sanksionet janë një hap i pazakontë kundër një kompanie të lidhur me shtetin rus dhe shënojnë një shkallëzim të konsiderueshëm të fushatës së drejtuar nga SHBA, e cila nuk ka arritur ta heqë Maduron nga pushteti.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Rosneft Trading është ndërmjetësi kryesor për shitjen dhe transportimin e naftës bruto të Venezuelës.
“Rosneft Trading ka mbajtur në këmbë diktatorin Maduro, duke bërë të mundur që ai të shtypë popullin venezuelian," tha zoti Pompeo duke njoftuar sanksionet.
Rosneft Trading është e regjistruar në Zvicër dhe ka pronësi ruse, sipas Departamentit të Shtetit. Kompania nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Por ligjvënësi rus Pavel Zavalny tha se vendi do të vazhdojë të bashkëpunojë me Venezuelën në sektorin e energjisë, pavarësisht sanksioneve të Shtetevet të Bashkuara “Askush nuk i braktis miqtë në nevojë,” tha Zavalny.
Shtetet e Bashkuara dhe rreth 60 vende të tjera thonë se rizgjedhja e Maduros në vitin 2018 nuk ishte e ligjshme dhe e kanë njohur liderin e opozitës Juan Guaido si president të përkohshëm.
Uashingtoni po shqyrton sanksione ekonomike shtesë ndaj qeverisë së Maduros./VOA