Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste. Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.

“Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.

Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët gjatë këtyre përleshjeve. Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi. Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb. Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe. Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:40
Franca: Qeveria e Kosovës as s’na konsultoi, as s’na njoftoi për organizatat terroriste

1688027221_macron.jpg

Ambasada e Francës në Kosovë po ashtu ka konfirmuar se s’u konsultua nga Qeveria e Kosovës para se t’i shpallje “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e veriut” organizata terroriste.

Klan Kosova ka raportuar se në një përgjigje për ta, kjo ambasadë ka thënë se as nuk u informuan parparakisht.

“Ne as nuk jemi konsultuar dhe as nuk jemi informuar paraprakisht për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e veriut’ si organizata terroriste." - thuhet në përgjigjen ambasadës franceze.

Ora 16:51
Lista Serbe: Shpallja e dy organizatave serbe si terroriste synon përshkallëzimin e situatës në veri

1687461069_listaserbe.JPG

Lista Serbe, partia mw e madhe serbe të Kosovës, kritikoi të premten vendimin e qeverisë në Prishtinë për shpalljen e dy entitete serbe si organizata terroriste, veprim që sipas tyre ka për qëllim përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Lista Serbe tha se këto organizata janë joekzistente duke theksuar se “Brigada e Veriut” është një organizatë virtuale që ekziston siç u tha vetëm në kokën e kryeministrit Albin Kurti, ndërkaq “Mbrojtja Civile” ka shumë vite që është integruar në institucionet e Kosovës.

“Me synim të parandalojmë regjimin e Kurtit të bëjë provokime të reja dhe t’i akuzojë serbët apo ndonjë organizatë të re virtuale për to, duke i dhënë vetes arsyetim për përndjekjen dhe frikësimin e serbëve, kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i që urgjentisht të vendosin forcat e tyre në të gjitha pikat në veri”, thuhet në reagim.

Ora 14:58
Gjermania: Dy organizatat në veri të Kosovës u shpallën terroriste pa koordinim me BE-në

1684566941_gjermani.JPG

Pas ShBA-së, edhe Gjermania ka reaguar në lidhje me shpalljen e dy organizatave serbe si organizata terroriste nga qeveria e Republikës së Kosovës.

Zyra për shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, ka thënë për Klankosova.tv se vendimi është marrë pa koordinim me Gjermaninë. Madje thuhet se as Ambasada gjermane nuk është informuar për këtë veprim të qeverisë paraprakisht.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë Ambasada.

Në përgjigje thuhet po ashtu se duke qenë dëshmitarë të krizës aktuale në komunat veriore të vendit, “një koordinim i afërt me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm”.

“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.