Një tjetër anije luftarake amerikane ka mbërritur në Lindjen e Mesme, sipas të dhënave të gjurmimit detar, ndërsa vazhdojnë të shtohen spekulimet për një sulm të ri të mundshëm të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Kështu shkruan BBC Verify.

Destrojeri amerikan “Delbert D. Black” u monitorua dje teksa po kalonte Kanalin e Suezit drejt Gjirit, sipas të dhënave të faqes së gjurmimit “MarineTraffic”. Besohet se të paktën 10 anije luftarake amerikane ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln.

Si një kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve amerikane në rajon, ushtria iraniane njoftoi futjen në shërbim të “një mijë dronëve strategjikë”, të destinuar për katër forcat e armatosura të vendit. Lajmi raportohet nga faqja Javan Online, e afërt me qarqet konservatore dhe Gardën Revolucionare (Pasdaranët), e cila citon një urdhër të drejtpërdrejtë të komandantit të përgjithshëm të ushtrisë së Republikës Islamike, gjeneralit Amir Hatami.

Mjetet e reja ajrore pa pilot janë projektuar dhe prodhuar nga specialistë të ushtrisë iraniane në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, bazuar në “kërcënimet e reja” dhe analizat mbi luftën 12 ditore të një viti më parë.

Dronët përfshijnë platforma sulmuese, goditëse, zbulimi dhe për luftë elektronike, me aftësi operative kundër objektivave të palëvizshëm dhe lëvizës në mjedise tokësore, detare dhe ajrore.

Nisma zhvillohet në një fazë tensioni të lartë rajonal, të shënuar nga kërcënimi i një sulmi të ri të mundshëm të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, i paralajmëruar nga Donald Trump, i cili kërcënoi të mërkurën Iranin më shkatërrim masiv.

Fjalëve të tij Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, iu përgjigj duke publikuar një varg nga Kurani. Mesazhi u shpërnda më pas nga ambasada e Iranit në Itali në rrjetin social X, ku ndër të tjera thuhet: Zoti na mjafton. Janë ata të cilëve njerëzit u thanë: ‘Njerëzit janë mbledhur kundër jush, frikësojuni!’

Tensionet në rritje sipas faqes Axios, e cila citon disa burime brenda administratës Trump, kanë bërë që zyrtarë të inteligjencës së Izraelit dhe Arabisë Saudite të jenë këto ditë në Uashington për bisedime lidhur me Iranin.

Të dy vendet - ashtu si edhe të tjerë në rajon - ndodhen në gjendje alarmi maksimal. Izraelitët janë në Uashington për të ndarë informacione mbi objektiva të mundshëm në Iran ndërsa, Sauditët, synojnë të shmangin një sulm dhe po përpiqen të ndërmjetësojnë një zgjidhje diplomatike.