Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar Microsoft dhe disa kompani të tjera të mëdha të teknologjisë nga procedurat që u hapin rrugën punonjësve të huaj për të marrë leje qëndrimi të përhershme në Shtetet e Bashkuara.
Vendimi u njoftua nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili akuzoi Microsoft se po përdor sistemin e emigracionit për të zëvendësuar punonjësit amerikanë me të huaj.
“Jeni një kompani e madhe amerikane, por duhet të punësoni punëtorë të mëdhenj amerikanë”, tha Vance.
Sipas tij, gjatë vitit të fundit Microsoft ka larguar rreth 6 mijë punonjës amerikanë, ndërsa në të njëjtën periudhë ka siguruar rreth 6.300 viza H-1B dhe afro 3 mijë procedura për “green card”. Vance pretendoi se për çdo punonjës amerikan të larguar, kompania ka punësuar një punonjës e gjysmë nga jashtë.
Masa nuk prek vizat H-1B, të cilat u lejojnë kompanive amerikane të punësojnë përkohësisht specialistë të huaj. Ajo ndalon kompanitë të nisin procedurat për pajisjen e këtyre punonjësve me leje qëndrimi të përhershme, një hap që zakonisht çon drejt marrjes së “green card”.
Përveç Microsoft, pezullimi prek edhe Adobe, Cognizant, Infosys, Tata, Wipro, HCL dhe Capgemini. Departamenti amerikan i Punës bëri të ditur se nuk do të pranojë aplikime të reja dhe nuk do të shqyrtojë ato që janë ende në pritje nga këto kompani.
Microsoft i hodhi poshtë akuzat e administratës. Kompania tha se rreth 80% e aplikimeve për vizat H-1B gjatë vitit të fundit kishin të bënin me rinovimin ose ndryshimin e statusit të punonjësve që ishin tashmë pjesë e saj dhe jo me punësime të reja.
Sipas kompanisë, aplikimet për punonjës të rinj përfaqësonin vetëm rreth 1% të forcës së saj të punës në SHBA. Microsoft shtoi se aplikon për viza vetëm për kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore dhe se ofron ndër pagat më të larta në industrinë e teknologjisë.
Administrata Trump nuk ka paraqitur prova publike që të tregojnë se Microsoft ka zëvendësuar punonjësit amerikanë të larguar me punonjës të huaj. Megjithatë, vendimi është pjesë e një fushate më të gjerë kundër programeve të emigracionit për punonjësit e kualifikuar. Uashingtoni ka propozuar gjithashtu rritjen e tarifës për aplikimet e reja për vizën H-1B në 103.265 dollarë, pasi një përpjekje e mëparshme për vendosjen e një tarife prej 100 mijë dollarësh u bllokua nga një gjykatë federale.
Goditja nuk është kufizuar vetëm te kompanitë e teknologjisë. Vance njoftoi edhe hapjen e një hetimi ndaj nëntë universiteteve amerikane, mes tyre Harvard, Yale, Stanford dhe MIT, të cilat akuzohen se po përdorin në mënyrë të papërshtatshme vizat J-1 për të punësuar studiues të huaj me kosto më të ulët se kolegët amerikanë. Autoritetet kanë nisur verifikimet dhe u kanë kërkuar universiteteve dokumentacion përkatës.
Në të njëjtën ditë ndodhi edhe një paradoks. Vetëm pak orë pasi administrata goditi Microsoft, presidenti Trump i dorëzoi drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Satya Nadella, Medaljen Kombëtare për Teknologjinë dhe Inovacionin, vlerësimi më i lartë amerikan në këtë fushë. Nadella, i lindur në Indi dhe tashmë shtetas amerikan, e nisi karrierën në SHBA me një vizë H-1B. Mes të vlerësuarve ishin edhe Michael Dell, Elon Musk, Sergey Brin, Jensen Huang dhe Lisa Su, ndërsa pesë nga gjashtë të nderuarit kanë lindur jashtë Shteteve të Bashkuara.










Komente
Komento