SHBA: Statusi për në BE u shty që
Shqipëria të japë prova për reformat

SHBA: Statusi për në BE u shty që<br />Shqipëria të japë prova për reformat
SHBA- Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor  dhe bëjnë thirrje për vazhdimin e reformave. Gjatë një seancë të Komisionit amerikan të Helsinkit, sa i takon Shqipërisë zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Eurazinë, Hoyt Yee, tha se me shtyrjen e dhënies së statusit kandidat, Shqipërisë iu dha kohë që të dëshmojë përparim të mëtejshëm nën qeverinë e re në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
 
“I bëjmë thirrje qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që të punojnë së bashku dhe të arrijnë rezultate për t’i fuqizuar argumentat për një vendim pozitiv”.      
 
Zonja Fajon tha se shtyrja përsëri e hapjes së dritës së gjelbërt për Shqipërinë, do të ishte një mesazh shumë i gabuar, sepse do të rrezikoheshin reformat.
 
“Tani duhet të sigurohemi që qeveria e re po bën të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha detyrimet evropiane jo vetëm në letër por edhe t’i zbatojë, çka do të thotë luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformat në drejtësi, në administratën publike dhe këto janë të gjitha shumë të rëndësishme”.
 
Ajo tha se politikanët duhet të përqendrohen tek e ardhmja e vendit, dhe të punojnë së bashku.
 
Në këtë seancë, pjesëmarrësit duke marrë shkas edhe nga ngjarjet në Ukrainë, theksojnë se sa e rëndësishme është që angazhimi amerikan dhe i BE-së të vazhdojë për një Europë të lirë dhe në paqe.
 
Megjithëse seanca ishte për vendet e Ballkanit Perëndimor,  ishte e pashmangshme përmendja e Ukrainës. Kryetari i Komisionit amerikan të Helsinkit, demokrati Benjamin L. Cardin tha se situata është shumë e rrezikshme dhe se veprimet e Rusisë, që ai i quajti agresion, shkelin detyrimet e saj si vend anëtar i OSBE-së dhe detyrimet ndaj organizatave të tjera ndërkombëtare.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee e vuri gjendjen e krijuar në kontekstin e përgjithshëm eyropian.

“Situata e atjeshme nxjerr në pah rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe NATO-s për të forcuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Europë, mes së tjerash përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor”.
        
Ndërsa ish-ambasadori amerikan në NATO, Drejtori Ekzekutiv i Institutit McCain, Kurt Volker u shpreh se çdo diskutim për Ballkanin sot “nuk fillon me Sarajevën apo Prishtinën, por me Krimenë”. Zoti Volker i referohej nevojës për një angazhim të fuqishëm të BE-së dhe Shteteteve të Bashkuara dhe një politikë më aktive për një Europë të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

“Druhem se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ballkanin: një farë vetëkënaqjeje, një farë angazhimi i pamjaftueshëm nga udhëheqësit e Bashkimit Europian, nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara”.

Për Ballkanin, pjesëmarrësit në seancë thanë se rol aktiv do të thotë inkurajim reformash drejt integrimit Euro-Atlantik. Senatori Cardin tha se ky mision është ende i papërfunduar.

“Ky është një rajon i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Megjithëse Ballkani Perëndimor nuk është më skenë konfliktesh të dhunshme, siç ishte para dy dekadash, ne na është dashur të kushtojmë  burime të konsiderueshme financiare, diplomatike dhe ushtarake për të vendosur paqen, për të inkurajuar reformat demokratike të nevojshme për ta mbështetur këtë rajon”.

Zoti Yee tha se integrimi Euro-Atlantik është rruga më e mirë për të arritur objektivin e demokracisë, por theksoi se sfidat vazhdojnë të ekzistojnë.

“Përparimi arrihet më shpejt kur udhëheqësit politikë dhe aktorë të tjerë lënë pas mënyrën e vjetër të të vepruarit”, tha ai duke përmendur si shembull Kroacinë.

Zoti Hoyt vlerosoi përparimin në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se në Kosovë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përqendrojmë vemendjen tek ndihma për të konsoliduar institucionet e saj demokratike shumë-etnike.

“Kjo përfshin përparimin e reformave të parashikuara nga procesi i Stabilizim-Asociimit, zhvillimin gradual të sektorit të saj të sigurisë, shtimin e njohjeve në gjithë botën dhe vazhdimin e bashkëpunimit me EULEX-in, përfshirë hetimin e akuzave për trafikun e organeve dhe krimeve të tjera të rënda”.

Kongresmeni Eliot Engel, demokrati më i lartë në Komisonin e Dhomës së Përfaqësuseve për Marrëdhëniet me jashtë shprehu shqetësimin që Kosova është i vetmë vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është anëtare e NATO-s ose e Partneritetit për Paqe.

“Do të ishte shumë e padrejtë që të lihej mënjanë  Kosova, një nga vendet më pro-amerikane, pro-perëndimore në botë. T’i mohohet Kosovës një rrugë drejt anëtarësimit në NATO,  do të thotë të lejohet që të ketë pasiguri dhe mungesë stabiliteti në rajon, ndërkohë që një Kosovë e integruar në NATO, do të thotë paqe në rajon dhe një ushtri që ndjek objektivat e aleancës”.

Ai e pyetin zotin Yee për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim.

“Qeveria amerikane e mbështet me forcë objektivin e Kosovës për të hyrë në Partneritetin për Paqe dhe më pas në NATO. Ne kemi punuar intensivisht për të ndihmuar Kosovën të kryejë reformat e duhura për të plotësuar kriteret si për Partneritetin për Paqe dhe për NATO-n”.

Kosova është gjithashtu i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon liberalizimin e vizave, siç e theksoi anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon.  Aj shtoi se megjithëse Kosova ka ende punë për të bërë për të plotësuar kriteret për dialogun me Brukselin për vizat, institucioneve evropiane u takon që të sigurojnë që të mos ketë më vonesa.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë lirinë e udhëtimit dhe ne si institucione evropiane nuk duhet ta humbasim këtë moment dhe besueshmëri por duhet të bëjmë gjithçka për të mbështetur qeverinë (e Kosovës)”.

Pjesëmarrësit në seancë shprehën shqetësimin për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe gjendjen e tensionuar në Bosnje-Hercegovinë. Disa nga mesazhet e tyre nuk ishin për vende të veçanta por për rajonin në përgjithësi. Zoti Yee tha se se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është jetike për një të ardhme të ndritshme për të gjitha vendet e Ballkanit. Për zonjën Fajon sfidat e integrimit janë të jashtëzakonshme për shkak të zgjedhjeve në vendet evropiane nga njëra anë dhe zgjedhjeve në disa vende të rajonit. Ajo theksoi nevojën e angazhimit amerikan.

Por zoti Volker tha se anëtarësimi në NATO dhe BE nuk janë në vetvete një objektiv, ato janë intrumenta drejt synimit për shoqëri që të respektojnë të drejtat e njeriut, mbrojnë pakicat, të funksionojnë në mënyrë demokratike, të krijojnë mirëqenie për qytetarët e vet, dhe që garantojnë siguri për vete dhe për fqinjët.

Marrë nga "VOA", nga Keida Kostreci

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova