NJU JORK - Tre ditë para përballjes së parë televizive në një debat, kandidati republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zgjodhi të merrte pjesë në shërbimet kishtare.

Ndërkaq, Barack Obama ishte në Las Vegas ku bëri thirrje për një debat serioz me rivalin e tij. "Për pak ditë unë dhe kundërshtari im në këto zgjedhje do të bëjmë një debat. Po pres të vijë ai moment. I kam ndjekur edhe spekulimet në media në lidhje me atë që do të mund të paraqitet më shumë", u shpreh Obama. Ai bëri thirrje që debati të jetë një diskutim serioz për ato gjëra që amerikanët kanë interes të dëgjojnë. Një përballje që sipas Obamës do tu lejojë qytetarëve të bëjnë zgjedhjet e duhura jo vetëm mes dy kandidatëve apo dy forcave politike por mes dy rrugëve në të cilat duhet të ecë vendi.

 Deri më tani sondazhet e tregojnë Obamën në avantazh të dukshëm prej pesë pikësh në raport me rivalin e tij. Ndërkaq, kandidati republikan Mitt Romney shkon drejt tre debateve televizive me një disavantazh të javëve të fundit. Ai do të tentojë të rekuperojë mbështetjen pas publikimit të videos ku cilësojnë gjysmën e amerikanëve si viktima që jetojnë në kurriz të politikave sociale të shtetit.

(dm/sg/shqiptarja.com)