Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një regjim të ri sanksionesh që synon të shënjestrojë individë dhe subjekte të huaja të përfshirë në veprime që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Masat janë të parashikuara në Seksionin 8335 të të ashtuquajturit “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, të miratuar nga Kongresi amerikan, dhe i japin Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, detyrimin që brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të vendosë sanksione konkrete.

Kush do të sanksionohet?

Sipas dokumentit, objekt i masave ndëshkuese do të jenë personat që:

-kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor;

-minojnë proceset dhe institucionet demokratike;

-përfshihen në korrupsion, përfshirë korrupsionin e zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarëve;

-kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut;

-pengojnë zbatimin e marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë.

Në mënyrë specifike, ligji përmend Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Rezolutën 1244 të OKB-së, Marrëveshjet e Dejtonit, si dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Bllokim pasurie dhe ndalim vizash

Regjimi i ri i sanksioneve parashikon bllokimin e pasurive dhe interesave financiare të individëve të sanksionuar, nëse këto ndodhen në SHBA ose janë nën kontrollin e personave amerikanë.

Po ashtu, ligji vendos masa të forta emigracioni, duke ndaluar hyrjen në SHBA të personave të sanksionuar, revokimin e menjëhershëm të vizave ekzistuese dhe përjashtimin nga çdo përfitim sipas ligjit amerikan të emigracionit.

Mesazh politik për rajonin

Sipas vlerësimeve në Uashington, ky regjim sanksionesh përbën një mesazh të qartë paralajmërues për aktorët që synojnë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar angazhimin e SHBA-ve për demokracinë, sundimin e ligjit dhe paqen afatgjatë në rajon.

Ligji parashikon që këto masa të jenë në fuqi për një periudhë tetëvjeçare, me mundësi rinovimi.