UASHINGTON, 13 shkurt /ATSH-AFP/ - David Carr, një prej gazetarëve më të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i njohur për humorin dhe stilin e tij luftarak, por edhe për mënyrën sesi arriti të dilte nga varësia ndaj drogës, vdiq dje në mbrëmje në moshën 58-vjeçare.
"Carr, i cili mbulonte median, u rrëzua dje në redaksinë e gazetës dhe u deklarua i vdekur pak pasi mbërriti në spital", njoftoi gazeta "New York Times".
Shkaku i vdekjes së Carrit nuk është bërë ende i ditur.
Carr iu bashkua gazetës njujorkeze në vitin 2002 për të shkruar përgjithësisht për ngjarjet në botën e medias, përpara se të krijonte një rubrikë të përjavshme ku analizonte jetën dhe evolucionin e medias./ATSH/