SHBA vë theksin tek zgjidhja diplomatike të tensioneve me Iranin

SHBA vë theksin tek zgjidhja diplomatike të tensioneve me Iranin

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo thotë se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të gjetur një zgjidhje diplomatike të tensioneve me Iranin i cili akuzohet për sulmin më 14 shtator ndaj rafinerive të naftës saudite. Por zoti Pompeo paralajmëroi se nëse diplomacia dështon, Presidenti Donald Trump "do të marrë vendimet e nevojshme për të arritur objektivat". Komentet vijnë pas angazhimit të Uashingtonit për të dërguar forca shtesë ushtarake e pajisjeve të mbrojtjes ajrore në Arabinë Saudite. 

Sulmi në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite nxiti tensione në marrëdhëniet tashmë të tronditura mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Uashingtoni dhe Riadi fajësojnë Republikën Islamike, por Irani i ka hedhur poshtë akuzat. Sulmi duket se i ka shuar shpresat për bisedime të nivelit të lartë këtë javë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

"Asgjë nuk është hequr plotësisht nga tavolina, por unë nuk kam ndërmend të takohem me Iranin. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë. Unë jam një person shumë fleksibël. Por nuk është vendosur gjë. Do të takohemi me shumë udhëheqës. Kemi rreth 15 takime të planifikuara, por jo me Iranin", tha Presidenti Donald Trump.

Të dielën në Teheran Presidenti Hassan Rouhani tha që Irani do të bëjë përpjekje këtë javë në Kombet e Bashkuara për t’i trajtuar çështjet rajonale, si çështje lokale.

“Në Kombet e Bashkuara ne do t'i paraqesim botës një plan ku do tregojmë se Republika Islamike e Iranit mund të krijojë siguri për rajonin me ndihmën e vendeve fqinje. Kudo ku kanë qenë të pranishëm amerikanët dhe armiqtë tanë, ata e kanë dëmtuar sigurinë, qoftë në Afganistan, Irak, Siri apo Gjirin Persik”, tha ai.

Ministria saudite e Mbrojtjes paraqiti këtë javë ato që i quajti prova "të pamohueshme" të përfshirjes së Iranit në sulmin me dron, që pati ndikim të menjëhershëm megjithatë të përkohshëm tek kostoja dhe furnizimi me naftë. Presidenti Trump u angazhua të dërgojë më shumë trupa e pajisje të mbrojtjes ajrore në rajon në mbështetje të forcave saudite. Ai gjithashtu vendosi sanksione të tjera ndaj Iranit.

“Ne i shtrënguam sanksionet ndaj regjimit duke e vendosur atë në një pozitë të vështirë. Populli iranian e mirëpriti këtë vendim. Ata e kuptojnë që udhëheqësit e tyre po i çojnë në një drejtim që nuk është i mirë për vendin. Ne duam një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje. Ky është objektivi ynë", tha sekretari i shtetit Mike Pompeo.

Të shtunën ministri i Jashtëm i Iranit i quajti sanksionet e reja një akt "dëshpërimi" dhe një përpjekje për t’u bllokuar iranianëve të zakonshëm ushqimin dhe ilaçet. Të dielën ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis, tha se situata mes SHBA dhe Iranit përbën një shqetësim botëror.

"Ajo që ne duhet të bëjmë është që të përdorim patjetër çdo mjet diplomatik dhe ekonomik për të garantuar stabilitetet sa më të qëndrueshëm në atë rajon. Bota ka nevojë për këtë, ekonomia botërore gjithashtu dhe sigurisht njerëzit në atë rajon nuk kanë nevojë për një Iran që të vazhdojë me këtë lloj sjelljeje", tha ai.

Tensionet në rajon janë një ndër temat që pritet të diskutohen këtë javë në Nju jork gjatë punimeve të sesionit të 74-t të Asamblesë së së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Zelensky: Nuk kemi forca për të rimarrë Krimenë dhe Donbasin! Rusia: Të hapur ndaj propozimeve nga i dërguari i Trump

Zelensky: Nuk kemi forca për të rimarrë Krimenë dhe Donbasin! Rusia: Të hapur ndaj propozimeve nga i dërguari i Trump