Gara presidenciale e vitit 2024 ndodhet në fundjavën e saj të fundit. Sondazhet tresojnë se demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump kanë një mbështetje pothuajse të barabartë ndaj dhe në këtë fazë të fundit të fushatës, çdo ditë ka rëndësi. Ka një ndjenjë se ajo që do të ndodhë në ditët të fundit, mund të ndryshojë trajektoren e garës.
Kur na ndajnë vetëm 3 ditë nga data e zgjedhjeve, janë më shumë se 70 milionë amerikanët që kanë votuar tashmë, duke zgjedhur votimin e hershëm apo atë me postë.
Beteja për Karolinën e Veriut
Zonja Harris dhe zoti Trump po përshkojnë vendin për të siguruar mbështetje në shtetet që kanë më shumë rëndësi. Sot, ( E shtunë) do të mbyllin fushatën në Karolinën e Veriut.
Trump pritet të shkojë në Karolinën e Veriut me një ndalesë në mes në Virxhinia, një shtet që Trump mbajti në vitin 2020, me pak më shumë se 70,000 vota.
Ndërkohë asnjë kandidat presidencial demokrat nuk e ka fituar Karolinën e Veriut që nga Barack Obama, në 2008. Megjithatë zonja Harris pritet të bëjë fushatë në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia sot një tregues se ekipi i saj po sheh mundësi reale për fitore atje. Ajo ka planifikuar të bëjë disa ndalesa në Miçigan të dielën, ku aleatët e saj besojnë se ajo është më e dobët.
70 milionë tashmë kanë votuar, 3 shtetet kyçe
Më shumë se 70 milionë vetë kanë votuar tashmë në zgjedhjet e vitit 2024, ose më shumë se një e treta e numrit të përgjithshëm që votuan në 2020. Ato përfshijnë dukshëm më shumë republikanë krahasuar me katër vite më parë, kryesisht për shkak se Trump ka hequr dorë nga qëndrimi që mbështetësit e tij të votojnë fizikisht, vetëm në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor.
Dhe ndërsa votimi i hershëm ka përfunduar në shumë shtete, kandidatët do të përqëndrohen në të paktën tre shtete kyçe ku procesi nuk ka përfunduar ende. Mes tyre Miçigani, ku votimi i hershëm vazhdon deri të hënën. Votuesit në Uiskonsin mund të votojnë deri të dielën. Dhe në Karolinën e Veriut, votuesit kishin kohë deri sot në orën 15:00 për të hedhur votat në qendra votimi. Votimet e hershme përfunduan zyrtarisht të premten në Arizona, Xhorxhia, Nevada dhe Pensilvani.
Kërcënimet
Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë të martën se kush do ta udhëheqë vendin për katër vitet e ardhshme.
Zyrtarët e sigurisë dhe të zbulimit paralajmërojnë se votuesit po përballen me një mjedis zgjedhor ku është shtuar dinamika e kërcënimeve që vijnë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit. Djegia e kutive të votimit në Uashington dhe Oregon ishte një zhvillim tronditës për zyrtarët e zgjedhjeve ndërsa në disa shtete vazhdon votimi i hershëm.
Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se kërcënimet vazhdojnë. Zyrtarët amerikanë thonë se kërcënimet e jashtme vijnë nga tre vende kryesore, Rusia, Irani dhe Kina.
Ata thonë se Rusia po përpiqet të ndikojë në rikthimin e ish Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Irani po përpiqet ta dëmtojë zotin Trump dhe ta ndihmojë Nënpresidenten Kamala Harris, duke e parë atë si një kërcënim më të vogël.
Zbulimi amerikan thotë se Kina është më e përqendruar tek garat për Kongres. Kompania Microsoft ka konfirmuar se hakerët kinezë kanë vënë në shënjestër vazhdimisht ligjvënësit republikanë që kanë qenë kritik ndaj Pekinit.
Përpjekje të tjera synojnë të krijojnë kaos.
Një vlerësim i deklasifikuar i zbulimit amerikan paralajmëron se Rusia ka plane për të nxitur dhunë dhe se edhe Irani mund të bëjë përpjekje të tilla.
Rusia, Irani dhe Kina i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza. Nga ana tjetër, Uashingtoni thotë se ka prova. Videot e manipuluara të postuara në mediat sociale, ku gjoja shihen votat e grisura në Pensilvani dhe emigrantët që pretendojnë se votojnë disa herë në Xhorxhia, janë vepër e ndikimit rus. Videot kanë bërë bujë. Por nuk dihet nëse po ndryshojnë mendjen e votuesve.
Për momentin, zyrtarët amerikanë të zgjedhjeve dhe sigurisë po u kërkojnë votuesve që të mos bien pre e keqinformimit dhe dezinformimit, duke u përpjekur që t'i sigurojnë ata se mund t'i besojnë procesit zgjedhor dhe rezultateve,shkruan VOA