Presidenti amerikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Biden janë përplasur sërish, për shkak të dhunës që ka shpërthyer në protestat e zhvilluara në Portland.
Një burrë u qëllua për vdekje në Portland teksa protestues të lëvizjes ‘Black Lives Matter’ dhe përkrahës të Trump u përplasën me njëri tjetrin.
Portland është bërë një pikë e rëndësishme e demostratave kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit që nga vrasja e afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis më 25 maj dhe plagosja e Jacob Blake javën e kaluar.
Me anë të një postimi në Twitter Presidenti Trump, fajësoi kreu e bashkisë Ted Wheeler, për lejimin e shkatërrimit të qytetit dhe mos vënien në kontroll të protestave në vend, ndërkohë që kandidati demokrat Joe Biden, akuzoi presidentin amerikan si shkaktar i dhunës.
Kryebashkiaku Wheeler paralajmëroi kundër njerëzve që vijnë në qytet për hakmarrje dhe u kërkoi atyre të rrinë larg teksa kritikoi presidentin Trump duke e quajtur atë një president që nxit ndarje dhe urrejtje.
Në një seri postimesh të dielën Trump tha se "Portland nuk do të shërohet kurrë me një budalla për kryebashkiak" dhe sugjeroi dërgimin e forcave federale në qytet.
Rendi dhe ligji është një temë kryesore e përpjekjes së Presidentit Trump për rizgjedhjen e tij në postin e presidentit dhe ai i konsideron demokratët dhe kandidatin e tyre Joe Biden si të butë ndaj krimit. Demokratët janë përgjigjur duke thënë se dhuna po ndodh nën presidencën e Trump dhe akuzojnë atë për përkeqësimin e situatës me retorikën e tij.