Situata në Lindjen e Mesme është përsëri në një gjendje të paqëndrueshme, pasi bisedimet bërthamore që filluan të premten midis SHBA-së dhe Iranit nuk kanë dhënë ndonjë rezultat dhe kërcënimi i Donald Trump për të sulmuar Teheranin mbetet në tryezë.

Si pasojë e kësaj anijet me flamur amerikan janë këshilluar të ruajnë distancën maksimale të mundshme nga ujërat territoriale iraniane, kur lundrojnë në Ngushticën e Hormuzit - pasi shqetësimet në lidhje me sigurinë e lundrimit në një nga rrugët detare më kritike në botë për furnizimet me naftë në rajon janë të larta.

Në të njëjtën kohë, pala amerikane thekson se ekuipazhet nuk duhet të ofrojnë rezistencë të dhunshme në rast se forcat iraniane hipin në një anije tregtare me flamur amerikan. 

"Nëse forcat iraniane hipin në një anije tregtare me flamur amerikan, ekuipazhi nuk duhet të rezistojë me forcë”, thuhet në direktivën e postuar në faqen zyrtare të internetit të agjencisë.

Ngushtica e Hormuzit ka qenë prej kohësh një pikë fërkimi, pasi një pjesë e konsiderueshme e saj ndodhet brenda ujërave territoriale të Iranit. Teherani më parë ka kërcënuar të mbyllë kalimin detar dhe në disa raste ka konfiskuar anije tregtare dhe cisterna, duke përmendur shkelje ose raste kontrabande.