Sipas një komunikate të shkruar të Departamentit amerikan të Shtetit, sanksionet kanë në shënjestër Agjencinë Hapësinore të Iranit, Qendrën e Kërkimeve Hapësinore të Iranit dhe Institutin Iranian të Kërkimeve Astronautike.
“Departamenti i Shtetit përfshiu në listën e sanksioneve Agjencinë Hapësinore të Iranit dhe dy institute kërkimore për shkak të aktiviteteve të tyre të ndjeshme të përhapjes. Kjo është hera e parë që SHBA-ja imponon sanksione ndaj një agjencie hapësinore civile të Iranit për rolin e saj në ndërtimin e raketave balistike”, thuhet në komunikatë.
“SHBA-ja nuk do të lejojë që Irani të përdorë programin e tij hapësinor si maskë për të avancuar programet e tij për raketa balistike. Përpjekja iraniane për të lëshuar një mjet hapësinor më 29 gusht thekson urgjencën e kërcënimit”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Ai paralajmëroi gjithashtu komunitetin shkencor ndërkombëtar se bashkëpunimi me programin hapësinor iranian “mund të kontribuojë në aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një sistem të lëshimit të armëve bërthamore”.
Këto sanksione vijnë ndërkohë që Franca po përpiqet të ndërmjetësojë mes Iranit dhe SHBA-së për të ulur tensionet.