SHBA-të festojnë sot 246 vjetorin e Pavarësisë! Urojnë krerët e shtetit dhe politikës shqiptare: Miqësia mes 2 vendeve, unike

SHBA-të festojnë sot 246 vjetorin e Pavarësisë! Urojnë krerët e shtetit dhe politikës shqiptare: Miqësia mes 2 vendeve, unike

Flamuri i SHBA-ve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot ditën më të rëndësishme në historinë e tyre, Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon këtë vit 246-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në 4 korrik të vitit 1776 delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan.

Përpara vitit 1776, të 13 kolonitë i nënshtroheshin ligjit britanik dhe duhej të paguanin detyrime të larta për importin e mallrave si sheqeri, kafeja, çaji ose pijet alkoolike. Ky skenar krijoi një pakënaqësi në rritje për kurorën britanike, duke çuar në këtë ngjarje historike.

Festimi i 4 korrikut nderon nënshkrimin e Deklaratës Amerikane të Pavarësisë nga baballarët themelues të SHBA-së. Diplomati i njohur i shtetit, Thomas Jefferson së bashku me filozofin politik Benjamin Franklin ishin ndër emrat e shumtë që hoqën dorë nga sundimi britanik dhe i shpallën kolonitë e Amerikës së Veriut si shtete të lira.

Politikanë nga qeveria dhe opozita uruan sot Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që i kanë bërë Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:21
SHBA-të festojnë sot 246 vjetorin e Pavarësisë, Alibeaj: Orientimi ynë vijon të mbetet perëndimor e euroatlantik

Edhe Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, uroi  Shtetet e Bashkuara në ditën e tyre të pavarësisë.

Alibeaj i cilësoi SHBA-të si simbol të demokracisë, që janë kthyer në një "ëndërr" për të gjithë botën.

"4 korriku 1776 shënon ditën e pavarësisë së shtetit simbol të demokracisë dhe gurin e parë të themelit të lirisë botërore.

Kjo ditë e shënuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dha jetë ëndrrës së amerikanëve për të ndërtuar një botë më të mirë, bazuar në virtytet më të mira njerëzore e politike duke e shndërruar këtë vend në ëndrrën e gjithë botës.", tha Alibeaj.

Alibeaj tha se falë SHBA-ve, vendet e Ballkanit jetojnë në liri.

"Falë SHBA, shqiptarët në Ballkan sot janë duke jetuar lirinë e mohuar ndër shekuj dhe ecin përkrah saj në NATO, aleancën më të fuqishme si një garanci për një të ardhme të sigurt, të lirë e në demokraci.", u shpreh ai.

Ai tha se orientimi i Shqipërisë duhet të mbetet ai Perëndimor, euroatlantik.

"I vetmi orientim yni vijon te mbetet ai perëndimor dhe euroatlantik, me busullën e qartë drejt perëndimit dhe SHBA.

Gëzuar festën e Pavarësisë. Zoti e bekoftë Amerikën që ka qëndruar e qëndron gjithmonë në krah të shqiptarëve!", u shpreh Alibeaj.

Ora 10:49
246 vite nga Pavarësia e SHBA, Meta uron Biden: Uroj forcimin e kësaj miqësie të bekuar mes 2 vendeve

Me rastin e 246-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi Presidenti Joe Biden. Në mesazhin e Metës thuhet se Shqipëria ja vendosmërinë për të qëndruar në krah të SHBA, në shërbim të interesit të përbashkët të dy kombeve tona miq.

“I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj Joseph R. Biden Jr., Viti 2022, shënon 246-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, dhe përkujtimit të udhëtimit dhe sakrificave të popullit të madh amerikan, në rrugën e lirisë, demokracisë dhe begatisë. Arritjet mbresëlënëse të vendit Tuaj, kanë qenë dhe mbeten një burim frymëzimi për të gjitha kombet e tjera që aspirojnë për parimet universale të demokracisë, lirive dhe dinjitetit njerëzor.

I nderuar Zoti President, është një kënaqësi e veçantë për mua që sot më 4 Korrik, në këtë ditë të shënuar, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t'Ju uroj Ju dhe popullit amerikan "Gëzuar Festën e Pavarësisë", si dhe t'Ju shpreh urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e sigurtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Ky mesazh urimi iu shkon edhe të gjithë shqiptaro - amerikanëve, të cilët kanë kontribuar pa reshtur në forcimin e marrëdhënieve tona duke shërbyer si një urë lidhëse për miqësinë tonë afatgjatë e të fortë.  Kam kënaqësinë t'Ju përcjell i dashur zoti President, në këtë përvjetor të 246 të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që përkon edhe me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona, vendosmërinë e Shqipërisë për të qëndruar në krah të SHBA, në shërbim të interesit të përbashkët të dy kombeve tona miq. Në këtë ditë të shënuar të Pavarësisë së vendit Tuaj dhe një shekull marrëdhëniesh diplomatike mes nesh, uroj forcimin e pandalshëm të lidhjes dhe miqësisë tonë të bekuar! Ju lutem pranoni zoti President, sigurimet e vlerësimit tim më të lartë”, thuhet në letrën e urimit të Presidentit Meta.

Ora 10:45
SHBA-të festojnë sot Ditën e Pavarësisë, Lindita Nikolla: Shqipëria, mirënjohëse e atdheut frymëzues e kontribues të lirisë

Edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së SHBA-të.

Në një postim në Facebook, Nikolla i cilësoi Shtetet e Bashkuara si mbështetëse të kombeve që aspirojnë për liri, demokraci dhe paqe.

“Gjatë dy shekujve e gjysmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën si fuqia më e madhe e ndryshimit, si atdheu frymëzues dhe kontribues i lirisë, si udhëheqësja e valëve të demokratizmit, si garancia e paqes, sigurisë dhe mbështetës të kombeve që aspirojnë për liri, drejtësi, demokraci e paqe”, u shpreh Nikolla.

Lindita Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë.

“Kombi shqiptar i është mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e fuqishme gjatë udhëkryqeve të historisë sonë kombëtare, për partneritetin strategjik në botën e sotme, në shërbim të zhvillimit, paqes e sigurisë”, shkroi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ora 09:48
SHBA-të festojnë sot Ditën e Pavarësisë, Basha: Mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kombi amerikan na ka dhënë përgjatë gjithë historisë

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar SHBA-të në 246 vjetorin e pavarësisë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

"4 korriku i 1776 shënoi lindjen e shtetit që u bë simbol i lirisë, demokracisë, të drejtave themelore të njeriut, dhe mbrojtëse e këtyre vlerave kudo në botë. Pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka frymëzuar popuj e kombe, për të realizuar ëndrrat dhe idealet e lirisë dhe demokracisë për shoqëri të lira e të emancipuara. Ne shqiptarët e përkujtojmë këtë ditë historike, në 100 vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, me krenari dhe mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kombi amerikan na ka dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë, ashtu edhe më pas, në sfidat e daljes nga errësira e diktaturës drejt dritës së lirisë dhe demokracisë, në çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në procese të tjera të zhvillimit ekonomik të vendit dhe integrimit në BE. Gëzuar 4 korrikun! Zoti e bekoftë miqësinë mes dy kombeve tona.", shkruan Basha në Facebook. 

Ora 09:35
SHBA-të festojnë sot Ditën e Pavarësisë, Xhaçka: Krenar për miqësinë mes popujve tanë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka me një postimi në rrjetet sociale uron Shtetet e Bashkuara për Ditën e Pavarësisë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan! Populli shqiptar bashkohet me ju në festën e lirisë që kjo ditë simbolizon, krenar për partneritetin gjithnjë e më të thelluar mes vendeve tona dhe miqësinë mes popujve tanë! #KrahPërKrah”, shkruan ministrja Xhaçka në Facebook.

Ora 09:00
SHBA-të festojnë sot Ditën e Pavarësisë, Rama: 4 korriku i 100 vjetorit të marrëdhënieve tona diplomatike

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale uron Shtetet e Bashkuara për Ditën e Pavarësisë, duke kujtuar 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatik mes dy shteteve.

“MIRËMËNGJES dhe në këtë ditë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 4 korrikun e 100 vjetorit të marrëdhënieve tona diplomatike, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.

S.C/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?