Tensioni mes Iran dhe Shtetet e Bashkuara po rritet në disa fronte njëkohësisht: në rrugët e qyteteve iraniane, në det pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në tryezën e negociatave për programin bërthamor.
Sipas Axios, planet për rinisjen e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit “po shkojnë drejt dështimit”. Dy zyrtarë amerikanë i thanë medias se SHBA ka refuzuar kërkesën e Iranit për të zhvendosur bisedimet nga Stambolli në Oman dhe për t’i zhvilluar ato vetëm në format bilateral. “U thamë: ose kështu, ose fare. Dhe ata thanë ‘ok, atëherë fare’”, citohet një zyrtar amerikan.
Nga ana tjetër, një burim qeveritar iranian i tha gazetës Al-Araby Al-Jadeed se Teherani do të marrë pjesë në konsultime, por “pa asnjë optimizëm për rezultatet”.
“Sjellja e Uashingtonit është kontradiktore dhe e ndikuar nga presioni i Izraelit mbi të dërguarin Steve Witkoff”, tha burimi, duke shtuar se “çdo përpjekje për të futur tema jashtë dosjes bërthamore do të tregonte mungesë serioziteti”.
Tensioni diplomatik u shoqërua me incidente të drejtpërdrejta ushtarake. Të martën, motovedeta të Gardës Revolucionare iraniane tentuan të ndalonin një anije tregtare me flamur amerikan pranë Ngushticës së Hormuzit. Në një incident tjetër, një dron iranian me “qëllime të paqarta” u afrua pranë aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe u rrëzua nga një avion F-35, sipas Komandës Qendrore Amerikane.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se dialogu mbetet një opsion. “Presidenti Trump preferon gjithmonë një zgjidhje paqësore”, tha sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio. “Nëse iranianët duan të na takojnë, ne jemi gati. Por nuk jam i sigurt që mund të arrihet një marrëveshje me këta njerëz”, shtoi ai, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të përfshijë edhe programin e raketave balistike.
Vetë president Donald Trump ka paralajmëruar më herët se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë” nëse negociatat dështojnë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një veprimi ushtarak.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Europa është gati të rrisë presionin për t’i dhënë fund shpejt programit bërthamor iranian. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u ofrua të ndërmjetësojë mes palëve dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga jashtë do të sillte rreziqe serioze për gjithë rajonin.
Ndërkohë, situata e brendshme në Iran mbetet shpërthyese. Protestat kundër regjimit, të nisura pas zhvlerësimit të monedhës vendase, janë shtypur me dhunë. Sipas Human Rights Activists News Agency, mbi 50 mijë persona janë arrestuar dhe të paktën 6.800 janë vrarë, ndërsa frika është se shifrat reale janë edhe më të larta./CorrieredellaSera
Komente








