Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar vendet që nuk i janë bashkuar SHBA-ve në sulmin ndaj Iranit se nuk duhet të ankohen për çmimet, ndryshe ‘të shkojnë e ta marrin vetë naftën në Hormuz’.
"Për të gjitha ato vende që nuk po arrijnë të sigurojnë karburant për avionët për shkak të Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar që refuzoi të ndërhyjë kundër Iranit, kam një sugjerim: së pari, blini nga SHBA-të, kemi me bollëk. Së dyti, bëhuni të fortë dhe shkoni merreni vetë. SHBA nuk do të jenë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu si ju nuk ishit për ne”, shkruajti Trump në rrjetin social Truth.
Kritika Trump pati veçanërisht ndaj Francës, teksa ka deklaruar se Madridi ka qenë i padobishëm për të ndihmuar SHBA-në dhe Izraelin në luftën kundër Iranit. Sipas Trump, këtë gjë SHBA-të s'kanë për ta harruar.
Por një ‘dritë jeshile’ po vërehet në horizont, mes luftës disa javore në Lindjen e Mesme. Pakistani (një nga ndërmjetësit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit) dhe Kina kanë shpallur një iniciativë të re për paqen në Lindjen e Mesme, e cila përmbante 5 pika kyçe të cilat janë: armëpushim i menjëhershëm, hapja e negociatave, ndërprerja e sulmeve ndaj objektivave të infrastrukturës (energji, ujë, etj.), rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe një marrëveshje paqeje me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Edhe Irani duket se ka “vullnetin e nevojshëm” për t’i dhënë fund luftës në vazhdim me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, por po kërkon garanci që konflikti të mos përsëritet. Këtë e deklaroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa.
“Kemi vullnetin e nevojshëm për t’i dhënë fund këtij konflikti, me kusht që të përmbushen kushtet thelbësore, në veçanti garancitë e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e agresionit”, u shpreh ai, sipas zyrës së tij.
Ndërkohë, gazetarja amerikane Shelly Kittleson, e rrëmbyer në Bagdad, është liruar dhe aktualisht ndodhet në spital për kontrolle mjekësore..
Më herët, ishte raportuar se Kittleson ishte rrëmbyer nga një grup i armatosur në kryeqytetin irakian. Lajmi u bë i ditur nga media Al Arabiya, duke cituar Ministrinë e Brendshme të Irakut.
Sipas autoriteteve, forcat e sigurisë kanë arritur të arrestojnë një nga rrëmbyesit, ndërsa të tjerët u larguan duke marrë me vete gazetaren. Shelly Kittleson bashkëpunon me disa media ndërkombëtare, përfshirë edhe media italiane. Vetëm sot, në faqen e gazetës Il Foglio është publikuar një artikull i saj me titull “Çmimi i neutralitetit kurd. Sulmet në Kurdistanin irakian”.
Deri më tani forcat amerikane kanë goditur më shumë se 11,000 objektiva gjatë konfliktit njëmujor me Iranin, duke u përqendruar kryesisht në vendet që synojnë të degradojnë aftësitë ofensive të vendit.
Po sot, Irani sulmoi me dron një nga anijet çisternë gjigante të naftës bruto të Kuvajtit që ishte i ankoruar në një port të Dubait, duke shkaktuar dëme, por jo viktima. “Al Salmi” ishte e ngarkuar me dy milionë fuçi naftë nga Kuvajti dhe Arabia Saudite me destinacion Kinën.
Pas sulmit, nafta bruto Brent u rrit me 2.4% duke arritur në 115.49 dollarë për fuçi. Sipas Wall Street Journal Donald Trump u ka thënë ndihmësve të tij se është i gatshëm t'i japë fund fushatës ushtarake kundër Iranit edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.
Ndërkohë të paktën 10 shpërthime u dëgjuan në të gjithë Jerusalemin dhe rajonin Shfela pasi Irani nisi një sulm të ri me raketa kundër Izraelit, duke shënuar një përshkallëzim të mëtejshëm. Sirena u dëgjuan në disa zona.
Lajm ne perditesim...

Irani ka “vullnetin e nevojshëm” për t’i dhënë fund luftës në vazhdim me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, por po kërkon garanci që konflikti të mos përsëritet. Këtë e deklaroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa.
“Kemi vullnetin e nevojshëm për t’i dhënë fund këtij konflikti, me kusht që të përmbushen kushtet thelbësore, në veçanti garancitë e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e agresionit”, u shpreh ai, sipas zyrës së tij.

Shefi i Shtabit të Forcave Ushtarake të Izraelit, Gjenerallejtënant Eyal Zamir, tha se "boshti i terrorit i regjimit iranian po fillon të shkërmoqet".
Mediat e huaja raportojnë se deklaratat e tij erdhën pas takimit të tij këtë javë me Shefin e Komandës Qendrore të SHBA-së, Admiralin Brad Cooper.
IDF tha se Zamir dhe Cooper "diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit midis dy ushtrive në operacionin kundër regjimit iranian dhe koordinuan hapat e ardhshëm" gjatë takimit të tyre.
"Përmes veprimeve të sinkronizuara dhe të koordinuara, së bashku po e godasim regjimin terrorist iranian, duke e bërë atë të izoluar strategjikisht dhe më të dobët se kurrë", thuhej në deklaratën e Zamirit.
"Partneriteti strategjik me aleatin tonë është një burim force i jashtëzakonshëm dhe niveli i tij është i pashembullt në këtë operacion", tha ai. Zamir shtoi se "boshti i terrorit i regjimit iranian po fillon të shkërmoqet dhe ne do të vazhdojmë të godasim derisa të arrijmë objektivat tona".

Pakistani (një nga ndërmjetësit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit) dhe Kina kanë shpallur një iniciativë të re për paqen në Lindjen e Mesme.
Kjo iniciativë u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social ‘X’ nga Barak Ravid, korrespondent i Çështjeve Globale në Axios dhe përmban 5 pika kyçe.
"Pakistani (një nga ndërmjetësit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit) dhe Kina shpallin një iniciativë të re paqeje:
1. Armëpushim i menjëhershëm
2. Hapja e negociatave
3. Ndërprerja e sulmeve ndaj objektivave të infrastrukturës (energji, ujë, etj.)
4. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit
5. Një marrëveshje paqeje me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara", ka shkruar Barak Ravid në rrjetin social ‘X’, ku ndau një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Pakistanit.
Antonio Costa
Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa në një telefonatë me presidentin iranian Masoud Pezeshkian i ka kërkuar Iranit ulje të menjëhershme të tensioneve dhe respektim të ligjit ndërkombëtar.
Gjatë bisedës, Costa theksoi se situata në Lindjen e Mesme është “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.
Ai kërkoi mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile, duke nënvizuar se sulmet që shkaktojnë viktima mes popullsisë janë të papranueshme.
Ai i bëri thirrje Teheranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve fqinje dhe të angazhohet në rrugë diplomatike, veçanërisht nën drejtimin e OKB-së, për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Duhet të ketë hapësirë për diplomaci. BE është gati të kontribuojë për uljen e tensioneve dhe një zgjidhje afatgjatë”, u shpreh Costa.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Franca ka qenë e padobishme për të ndihmuar SHBA-në dhe Izraelin në luftën kundër Iranit.
“Franca nuk lejoi që aeroplanët që transportonin furnizime ushtarake për Izraelin të fluturonin mbi territorin francez. Franca nuk na ndihmoi aspak në përballjen me ‘Kasapin e Iranit’, i cili u eliminua me sukses! Shtetet e Bashkuara nuk do ta harrojnë!”, shkroi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në Truth.

Foto: Pete Hegseth
"Nëse Irani është i mençur, do të kërkojë një marrëveshje, Presidenti Donald Trump nuk po bën blof”
Kështu deklaroi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një konferencë për shtyp mbi luftën në Iran.
Hegseth bëri me dije se ka zhvilluar një vizitë të papritur në Lindjen e Mesme gjatë fundjavës për t'u takuar me trupat e stacionuara në bazat në rajon.
Benjamin Netanyahu ka sulmuar liderët europianë, duke i akuzuar për mungesë guximi përballë Iranit. Gjatë një mbledhjeje qeverie, ai tha se shumë prej tyre “e dinë situatën, por kanë frikë të flasin apo të veprojnë kundër Iranit”.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu theksoi se Izraeli po lëviz në drejtim të kundërt. “Po vazhdojmë të forcojmë aleancat me vendet arabe, të cilat po shqyrtojnë mundësinë të luftojnë në krahun tonë”, u shpreh ai.
Sipas tij, këto zhvillime po ndryshojnë ekuilibrat në rajon. “Ne nuk kemi frikë dhe po veprojmë. Po krijojmë aleanca që më parë dukeshin të pamundura”, shtoi kryeministri izraelit.

Japonia ka nisur kontakte sekrete direkte me Iranin mes tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve, ministri i Jashtëm i Japonisë Toshimitsu Motegi dhe ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghtschi kanë zhvilluar të paktën dy biseda që nga nisja e konfliktit.
Nuk bëhet fjalë për negociata për marrëveshje, por për kontakte direkte, larg presionit publik.
Një zyrtar japonez thotë se synimi është të përcillen shqetësimet për sigurinë energjetike.
Japonia importon mbi 90% të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe kërkon të mbajë të hapur dialogun.

Donald Trump u është drejtuar vendeve që po përballen me mungesë karburanti për avionë për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në Truth, ai tha se pjesa më e vështirë e luftës ka mbaruar dhe për krizën e naftës sugjeron dy zgjidhje.
“Për të gjitha ato vende që nuk po arrijnë të sigurojnë karburant për avionët për shkak të Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar që refuzoi të ndërhyjë kundër Iranit, kam një sugjerim: së pari, blini nga SHBA-të, kemi me bollëk. Së dyti, bëhuni të fortë dhe shkoni merreni vetë. SHBA nuk do të jenë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu si ju nuk ishit për ne”, shkruajti ai.

Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se goditi disa objektiva ushtarake amerikane dhe një anije izraelite këtë mëngjes.
"Në këtë sulm, një anije kontejnerësh që i përkiste regjimit sionist, e quajtur Express Halfong, u godit nga raketa balistike nga forcat detare të IRGC-së në ujërat qendrore të Gjirit Persik", thuhej në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror.
Më tej në deklaratë thuhet se dronët iranianë shkatërruan sistemin anti-dronë (Hawk) të Flotës së Pestë amerikane, të vendosur jashtë bazës dhe rreth aeroportit të Manamas në Bahrein.
"Në operacionin e dytë dronët goditën me saktësi pikën e grumbullimit në bregdetin e Emirateve të Bashkuara Arabe për Marinsat Amerikanë, të cilët ishin fshehur në një vend sekret jashtë një baze ushtarake nga frika e raketave shkatërruese të Gardës Revolucionare. Dronët më pas "shkatërruan sistemin anti-dronë (Hawk) të Flotës së Pestë terroriste amerikane, të vendosur jashtë bazës dhe rreth aeroportit të Manamas në Bahrein". Së fundmi, "dy radarë të mbrojtjes ajrore në bazën e terroristëve amerikanë Jaber Al-Ahmad u goditën nga dronë", thotë Pasdaran.
Foto: Donald Trump
Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm t'i japë fund fushatës ushtarake amerikane kundër Iranit edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, Raporton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të administratës.
Sipas tyre një vendim i tillë do të forconte kontrollin e Teheranit mbi rrugën ujore dhe do të shtynte operacionin kompleks për ta rihapur atë. Në ditët e fundit, presidenti amerikan dhe ndihmësit e tij kanë vlerësuar se një mision për të detyruar hapjen e ngushticës do ta zgjaste konfliktin përtej vlerësimit të tij prej katër deri në gjashtë javësh.
Sipas gazetës, Trump ka vendosur që SHBA-të duhet të ndjekin objektivat e tyre kryesore: dobësimin e marinës iraniane dhe arsenaleve të saj raketore dhe përfundimin e armiqësive të vazhdueshme.

Çdokush që filmon ose fotografon dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore në Iran rrezikon dënim me vdekje, tha një zëdhënës i Magjistraturës iraniane.
“Për ata që i japin informacione armikut duke bërë fotografi ose duke filmuar, ligji për ashpërsimin e dënimeve për spiunazh parashikon dënimin me vdekje dhe konfiskimin e të gjitha pasurive”, deklaroi Asghar Jahangir. “Kur bëhen fotografi të zonave të dëmtuara, armiku informohet se objektivi është lokalizuar saktë”, shtoi ai. “Dhënia e informacionit kundrejtarmikut në këtë mënyrë është e barabartë me bashkëpunimin me armikun në aktivitete inteligjence, vepër për të cilën ligjvënësi ka parashikuar dënimin me vdekje dhe konfiskimin e të gjitha pasurive”, theksoi Jahangir.

Foto: Marco Rubio
Shtetet e Bashkuara preferojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me Iranin në mënyrë paqësore, por duhet të jenë të përgatitura për mundësinë që këto përpjekje të dështojnë, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
“Është e qartë se ka njerëz atje që po flasin me ne në një mënyrë që udhëheqësit e mëparshëm iranianë nuk na kanë folur në të kaluarën. Ne gjithmonë preferojmë të zgjidhim çështjet përmes negociatave dhe diplomacisë, por gjithashtu duhet të jemi të përgatitur për mundësinë që këto përpjekje të dështojnë. Kemi të bëjmë me një regjim 47-vjeçar që ende ka shumë njerëz që nuk janë domosdoshmërisht tifozë të diplomacisë dhe paqes. Nëse ka njerëz të rinj në pushtet tani që kanë një pikëpamje më të arsyeshme për të ardhmen, ky do të ishte një lajm i mirë për ne, për ta, për të gjithë botën”, tha Rubio për ABC .
Ai shtoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet në një mënyrë ose në një tjetër.
“Ngushtica e Hormuzit do të rihapet në një mënyrë ose në një tjetër sapo të përfundojë operacioni ynë ushtarak në Iran. Kjo do të bëhet ose me pëlqimin e Iranit ose përmes një aleance ushtarake ndërkombëtare që përfshin Shtetet e Bashkuara. Qëllimet tona në Iran janë të qarta dhe ne do t’i arrijmë ato brenda javësh, jo muajsh. “Nëse Irani zgjedh të mbyllë Ngushticën e Hormuzit pasi të përfundojë operacioni ushtarak, ai do të përballet me pasoja të rënda”, tha ai.

Foto: Benjamin Netanyahu
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se më shumë se gjysma e objektivave në kuadër të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit janë arritur, duke shmangur megjithatë të japë një afat për përfundimin e konfliktit.
Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan Newsmax, Netanyahu theksoi se operacionet ushtarake ndodhen në një fazë të avancuar, ndërsa sugjeroi se regjimi iranian mund të përballet me një kolaps të brendshëm.
Ai sqaroi se ndryshimi i regjimit në Iran nuk përbën një objektiv zyrtar të operacioneve ushtarake, edhe pse zhvillimet e brendshme në vend mund të çojnë në një skenar të tillë.
“E kemi kaluar qartësisht më shumë se gjysmën e rrugës, por nuk dua të vendos një afat kohor”, u shpreh Benjamin Netanyahu gjatë intervistës, e cila u transmetua në ditën e 31-të të luftës kundër Iran.

Foto: Anije duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit
Një komision parlamentar në Iran ka miratuar vendimin për të vendosur tarifa për anijen që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, sipas agjencisë së lajmeve Fars.
Sipas tyre një anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare ka konfirmuar miratimin e planit, i cili gjithashtu do të shihte që anijet amerikane dhe izraelite të ndaloheshin të lëviznin nëpër ngushticë.
Ai shton se, sipas planeve, vendet e tjera që kanë marrë pjesë në sanksionet kundër Iranit do të përjashtohen gjithashtu.
Rreth 20% e naftës së papërpunuar në botë zakonisht kalon nëpër rrugën jetike të transportit detar që ndodhet midis Iranit dhe Omanit.
Megjithatë, që nga fillimi i luftës, kalimet kanë rënë ndjeshëm me rreth 95 përqind, sipas firmës së inteligjencës detare Kpler.
Irani ka goditur me dron një nga anijet çisternë gjigante të naftës bruto të Kuvajtit që ishte i ankoruar në një port të Dubait, duke shkaktuar dëme por jo viktima.
“Al Salmi” ishte e ngarkuar me dy milionë fuçi naftë nga Kuvajti dhe Arabia Saudite me destinacion Kinën. Pas sulmit nafta bruto Brent u rrit me 2.4% duke arritur në 115.49 dollarë për fuçi.
Komente









Ky është shteti e populli që mbarë bota e krijuan dhe mbështetën për hirë të sakrificave?Popull i Izraelit frenoni politikën e vrasieve dhe luftës ndaj popujve të tjerë.
PërgjigjuKy nuk e ndalon luften pse jo?Ky mbeshtetet 100% nga SHBA dhe nga e gjith Evropa me armatime qe nga viti 1948 dhe ja plotesojn te gjitha deshirat per te vrare femij dhe te aneksoj teritore te huaja qe nuk i takojn pra nuk ky vetem nji fashist por i gjith Perendimi .
Përgjigju