Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj pesë zyrtarëve iranianë, të cilët i akuzuan se qëndrojnë pas shtypjes së protestave dhe paralajmëruan se po gjurmojnë fondet e liderëve iranianë që po transferohen drejt bankave në mbarë botën, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump rrit presionin ndaj Teheranit.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë se vendosi sanksione ndaj Sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, si dhe ndaj komandantëve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike dhe forcave të rendit, duke i akuzuar ata si arkitektët e shtypjes.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një video se mesazhi i Uashingtonit për udhëheqësit e Iranit ishte i qartë: “Thesari i SHBA-së e di se, si minjtë në një anije që po mbytet, ju po transferoni dëshpërimisht fonde të vjedhura nga familjet iraniane drejt bankave dhe institucioneve financiare në mbarë botën. Jini të sigurt, ne do t’i gjurmojmë ato dhe ju. Por ka ende kohë, nëse zgjidhni të bashkoheni me ne. Siç ka thënë presidenti Trump, ndaloni dhunën dhe qëndroni në krah të popullit të Iranit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm në krah të popullit iranian në thirrjen e tij për liri dhe drejtësi,” tha Bessent në deklaratë. “Thesari do të përdorë çdo mjet për të goditur ata që qëndrojnë pas shtypjes tiranike të të drejtave të njeriut nga ana e regjimit.”

Departamenti i Thesarit vendosi gjithashtu sanksione ndaj 18 personave që i akuzoi për përfshirje në pastrimin e të ardhurave nga shitjet e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane në tregjet e huaja, si pjesë e rrjeteve të “shadow banking” të institucioneve financiare iraniane të sanksionuara.

 


Lajmi kryesor:

Shtypja e protestave në Iran, Kaja Kallas do të prezantojë sot paketën e sanksioneve! Trump: Ekzekutimet kanë ndaluar! SHBA-të konsiderojnë një sulm të mundshëm