Protestuesi iranian Erfan Soltani është liruar me kusht nga burgu në Teheran, duke paguar një garanci prej 12.600 dollarësh.

Lajmi për lirimin e tij erdhi pasi SHBA paralajmëroi se ai rrezikonte ekzekutimin, një pretendim që autoritetet iraniane e mohuan.

Avokati i 26 vjeçarit tha për mediat, se Soltanit i janë kthyer të gjitha sendet personale, përfshirë telefonin.

Soltani u arrestua më 10 janar gjatë protestave mbarëkombëtare në Iran dhe mbahej në një qendër paraburgimi pranë Teheranit. Sipas autoriteteve gjyqësore, ai akuzohej për propagandë kundër sistemit islamik të Iranit dhe veprime kundër sigurisë kombëtare.

Çështja e tij u bë publike pasi Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi në llogarinë persisht të platformës X se Soltani ishte dënuar me vdekje. Ky pretendim u mohua më pas nga gjyqësori iranian, i cili tha se rasti ishte ende nën hetim dhe se akuzat nuk parashikonin dënim kapital.

Protestat kundër regjimit të Ajatollahëve nisën më 28 dhjetor si tubime paqësore, por më pas u shndërruan në trazira të dhunshme, duke u shoqëruar me vrasje dhe shkatërrime prone. Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se kanë nxitur trazirat, duke i cilësuar ato si pjesë e një “operacioni terrorist”.

Teherani ka pranuar se gjatë protestave janë vrarë më shumë se 3.000 persona, duke thënë se shumica ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të pafajshëm, ndërsa dhunën e ka atribuar akteve terroriste.

Nga ana tjetër, organizata me seli në SHBA Human Rights Activists News Agency ka konfirmuar 6.713 viktima, kryesisht protestues.

Më herët, Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Iranin se Amerika do të ndërmerrte veprime të forta ndaj Teheranit nëse autoritetet do të ekzekutonin protestuesit e ndaluar.