Kreu i CIA-s vizitë 24 orëshe në Prishtinë, sot takoi kryeministrin dje Presidenten e Kosovës! Osmani e Kurti ndajnë mesazhin e William Burns

PRISHTINË- Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, u takua sot paradite (23 gusht 2024)  me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.

Ende nuk ka një deklaratë rreth takimit me zyrtarin më të lartë amerikan të inteligjencës, ndërsa pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”. 

'Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë' shkruhet në faqen zyrtare të facebook të qeverisë së Kosovës.

Institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që të avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë” vijon njoftimi.

Takimi dje me Osmanin 
Një ditë më parë (22 gusht)  Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në takim mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, e policia detyroi gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! tha presidentja Osmani.

Pse tani? 
Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”. Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Vetë Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Burns ne Bosnje e Serbi
Shefi i CIA-s zbriti në Kosovë pasi ishte ndalur më parë në Sarajevë dhe në Beograd. Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviçit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja. Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

Karriera e Burns?
William Burns ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021. Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:28
Pas takimit me Burns, Kurti tregon se çfarë bisedoi me kreun e CIA-s: Duam t’i forcojmë e zgjerojmë marrëdhëniet, sundim i ligjit dhe sigurisë

Po vazhdon vizita e kreut të CIA-s William Burns, në Ballkanin Perëndimor, teksa sot (23 Gusht) ka marrë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi mbrëmjen e djeshme bisedoi edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Tematika ka qenë e qartë; situata në rajon dhe lufta kundër terrorizmit.

Pas takimit të sotëm me shefin e CIA-s, William Burns, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se “dëshiron t’i forcojë e zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas kreut të ekzekutivit, i cili bëri postim në rrjetin social FB, vizita e drejtorit të CIA-s “ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, raporton RTK.

“Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike, kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngremë më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”, ka shkruar Kurti në Facebook, pas takimit me Burns.

Ai ka bërë të ditur se në këtë takim ka shprehur “përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.

Moment nga takimi Burns dhe Kurti
Ora 14:49
'Moment i rëndësishëm historik!' Qeveria e Kosovës jep detaje nga takimi i Kurtit me shefin e CIA-s

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar sot paradite mes kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të CIA-s, William Burns. Në takim thuhet se kryeministri shprehu përkushtim për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, dhe se vlerat amerikane do të mbeten shtyllat qëndrore të qeverisjes.

Po ashtu, kryeministri Kurti e njoftoi Burnsin me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns.

Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.

Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Ora 11:55
Takoi shefin e CIA-s, presidentja Vjosa Osmani zbulon mesazhin

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar fotografitë e para zyrtare nga takimi me shefin e CIA-s, William Burns. Në një postim në Facebook, ajo nënvizon se aleanca me ShBA-të është garancë për siguri, paqe dhe sukses.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një postim në facebook një ditë pas takimit me shefin e CIA-s, William Burns.

Burns ndodhet në Kosovë e ndërsa dje u mirëprit nga presidentja, sot në mëngjes u takua me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë