Shefi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës Erind Bejko, nga terreni ku po shpërndan paketa ushqimore dhe ilaçe për njerëzit që në kushtet e vetë izolimit e kanë të pamundur të sigurojnë ushqime, ka sqaruar se cili është targeti i njerëzve që po ndihmohen dhe si e përfitojnë ata ndihmën në ushqime dhe ilaçe.

Kategoritë që përfitojnë janë kryesisht ata që kanë përfituar edhe më parë nga skemat e ndihmës ekonomike në Bashkinë e Tiranës, por edhe ata të cilët fizikisht ose ekonomikisht gjatë periudhës së karantinimit e kanë të pamundur të sigurojnë ushqime për familjen e tyre.

“Kategoritë që bashkia do të ndihmojë janë ata që kanë përfituar edhe më parë nga skemat e ndihmës, pensionistet që për shumë arsye janë të vetmuar. Familjet qe kanë në përbërjen e tyre një person me aftësi të kufizuar, familjet me ndihmë ekomomikë, të gjitha famijet që nuk blejnë sot ushqime, por edhe në ato familje që kanë mundesi për të blerë ushqime, por nuk kanë mundësi të dalin.”

Por si identifikohen familjet që kanë nevojë për ushqime gjatë këtyre ditëve?

"Ka disa rrugë,baza e informacionit janë listat që disponon bashkia, numri i telefonit numri i gjelbër, adresa online Tirana ime, dhe ankesat që marrim nga rrjetet tona. Kjo është baza e informacionit, por edhe informacioni që kanë njësitë administeative dhe administratorët e pallatit.” shprehet Shefi i emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës.

Pakot ushqimore dhe ilaçet shpërndahen nga grupet e punës, direkt në shtëpitë e personave në nevojë.