Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka dalë në mbrojtje të institucionit që drejton, pas diskutimeve të fundit në Bruksel për të ardhmen e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe propozimeve që vënë në pikëpyetje rolin e tij aktual.

Në një email drejtuar rreth 5 mijë punonjësve të shërbimit diplomatik evropian, të siguruar nga POLITICO, Kallas thekson se institucioni ka sjellë “vlerë të shtuar” për Bashkimin Evropian dhe mbetet një instrument i rëndësishëm në një periudhë sfidash të mëdha gjeopolitike.

“Dua të theksoj se sa shumë vlerë i kemi sjellë Evropës si ekip, veçanërisht në një moment kur në kontinent po zhvillohet një luftë në shkallë të plotë”, shkruan Kallas në mesazhin e saj.

Reagimi i saj vjen pas qarkullimit të një dokumenti diskutimi të përgatitur në Francë, i cili sugjeronte disa opsione radikale për reformimin e EEAS.

Sipas dokumentit, ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për të ardhmen e shërbimit diplomatik evropian. Njëri prej tyre parashikon vendosjen e plotë të institucionit nën autoritetin e Komisionit Evropian, një tjetër transferimin e funksioneve kryesore te Këshilli i Bashkimit Evropian, ndërsa opsioni i tretë synon forcimin e rolit të vetë shefit të diplomacisë evropiane.

Dokumenti është konfirmuar nga POLITICO, por diplomatët evropianë theksojnë se ai nuk përfaqëson një qëndrim zyrtar të qeverisë franceze dhe nuk është miratuar nga ministri i Jashtëm francez apo stafi i tij.

Megjithatë, debati nuk është i ri. Prej vitesh, disa kryeqytete evropiane dhe zyrtarë të BE-së kanë kritikuar mënyrën se si funksionon diplomacia evropiane, duke e konsideruar atë të ngadaltë, burokratike dhe të përfshirë në përplasje kompetencash me Komisionin Evropian të drejtuar nga Ursula von der Leyen.

Sipas një diplomati evropian të njohur me diskutimet, problemet e EEAS janë bërë pjesë e diskutimeve të përditshme mes ambasadorëve të vendeve anëtare.

Ai tha se kritikat duhet të shihen si një paralajmërim për mënyrën se si po drejtohet institucioni nga Kallas.

Vetë Kallas, ish-kryeministre e Estonisë dhe shefe e diplomacisë së BE-së që prej vitit 2024, u shpreh se është e hapur ndaj diskutimeve për reforma.

“Marrëdhënia mes EEAS, Komisionit dhe shteteve anëtare është diskutuar që nga krijimi i shërbimit. Duke pasur parasysh sfidat e paprecedenta gjeopolitike me të cilat përballemi, është krejtësisht normale që këto diskutime të marrin më shumë vëmendje dhe intensitet”, shkroi ajo.

Kallas shtoi se e mirëpret debatin, pasi sipas saj ai tregon se ekziston një angazhim i përbashkët për të siguruar që institucionet evropiane të japin rezultatet më të mira të mundshme për qytetarët.

Megjithatë, ajo nënvizoi se rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve të Bashkimit Evropian janë të përcaktuara qartë në traktatet themeluese të unionit.

“Kjo kornizë mbetet e pandryshuar”, theksoi ajo.

Debati për të ardhmen e shërbimit diplomatik evropian zhvillohet në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballet me sfida të mëdha, nga lufta në Ukrainë te tensionet globale dhe ndryshimet në marrëdhëniet transatlantike.

Sipas disa zyrtarëve evropianë, edhe pse pozicioni i Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme është i parashikuar në Traktatin e Lisbonës, mënyra e organizimit dhe funksionimit të EEAS mund të ndryshohet përmes një vendimi të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kjo ka ushqyer diskutimet për reforma të mundshme në të ardhmen.

Kallas bëri të ditur se idetë për ndryshime në diplomacinë evropiane do të diskutohen më tej në një takim joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së pas përfundimit të verës