TIRANE- Ish-kryetari i PD dhe pasuesi direkt i Eduard Selamit në krye të PD, pas dëbimit të tij, Tritan Shehu është shprehur me tone vlerësuese për rikthimin e ish-liderit të demokratëve që jeton prej 18 vitesh në SHBA.

“PD është një forcë është demokratike dhe e hapur dhe që pret me kënaqësi kontributin e gjithsecilit që kërkon të japë për demokracinë dhe zhvillimin e Shqipërisë. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një nga themeluesit e ish-drejtuesit kryesorë të asaj forcë politike siç është dhe një nga kolegët e mi të vjetër Eduard Selami”, ka qënë deklarata e djeshme e Shehut, vetëm një ditë pasi Selami shfaqi dëshirën për të qënë në Shqipëri si kontribues në PD. Sipas ish-kreut demokrat Shehu, PD bazohet mbi bashkimin e vlerave dhe përbëhet nga një pafundësi vlerash, ku gjithsekush mund të gjejë veten e tij.

“Unë do të them se kjo është baza e themeli i forcës sonë, i energjive tona, i vizionit tonë dhe i asaj që ne kemi bërë. Ky është pozicioni ynë krejtësisht i ndryshëm nga pozicioni dhe filozofia e PS dhe e zotit Rama e që përbën një nga kolonat e rëndësishme të garancisë së fitores sonë në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Shehu. Për të cilin është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që janë larguar nga PD të rikthehen dhe të gjejnë vendin e tyre për kontribut në këtë parti, pasi ajo i pret krahëhapur. “PD përbëhet nga vlera. Gjithsëkush e gjen veten e tij dhe mund të jetë pjesëtar i këtyre vlerave për të dhënë kontributin e vet në këtë parti dhe për ti çuar më tej këto vlera në favor në vendit”, deklaroi Shehu.

(sg/shqiptarja.com)