TIRANË- Ish- ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu është shprehur se Ministria e Shëndetësisë ka gabuar me masat e marra për menaxhimin e situatës së COVID-19, në procesin e hapjes. I ftuar në Report Tv në edicionin qendror, i pyetur se çfarë mund të bënte ndryshe, Shehu tha se ministria duhet të shpërndajë çdo ditë maska për qytetarët.

"Qytetarët duhet të respektojnë rregullat e higjienës, por nuk mjafton duhen ndërhyrje strategjike nga ana e shtetit, protokolle dhe vizione të qarta, kërkohen furnizime me materiale dhe resurse të mëdha. Sistemi shëndetësor i infektuar është një bombë. Prandaj kërkohen rregulla të qarta dhe jo ca letra të varura në mur surreale. Duhet testim i plotë i sistemit shëndetësor dhe i pacientëve të shtruar, së dyti në spitale të gjitha shtrimet e më tejshme duhet që pacienti të kalojë në ambiente të veçanta pas rekomandimit të mjekut të familjes dhe t'i nënshtrohet testimit para se të shtrohet.  Mjekët të jenë të pajisur me veshjet mbrojtëse, vizita jo më shumë se 15 minuta dhe hyrjet dhe daljet të jenë të veçanta, personeli të ketë të gjitha pajisjet mbrojtëse. Në Shqipëri nuk bëhen protokolle, se ai që nuk i mban përgjegjësi, kërkohet fshehja e përgjegjësive.  Duhen maska  masive për qytetarët, nga një në ditë. Maska ose me çmime të kontrolluara ose falas për një shtresë të popullsisë", tha Shehu.

Duke u ndalur te ndarja nga jeta e mjekut Arjan Pushi me COVID-19, Shehu tha se kjo është një humbje e madhe për shëndetësisë shqiptare, teksa ka folur me superlativa për figurën e tij.

"Tragjedi që një koleg me vlera të mëdha, një specialist i mirë, një njeri i veçantë të jetë viktimë e virusit duke u infektuar në vendin e punës. Jam i shokuar që dje kur mora vesh që gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë dhe nuk ka se çfarë të them, dua t'i shpreh ngushëllimet për familjarët dhe kolegët. Është një humbje e madhe, hidhërim për të gjithë, humbje kolosale për familjen", tha Shehu në studion e Report Tv.

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, Shehu nuk e sheh si vendim politik listën e hartuar nga KE për vendet që mund të lëvizin drejt BE-së nga data 1 korrik. Për Shehun, Shqipëria nuk i plotëson standardet.

"Nuk ka asnjë diskriminim, ka një dashamirësi që Shqipëria të jetë në BE, por duhet të rrisë standardet e saj. Janë standardet e qarta që ka vendosur BE, po s'i realizove nuk mund të jesh. Nuk është faji i BE, po ai atyre që e shkatërruar Shqipërinë", përfundoi Shehu.