Një pirg mbetjesh u shemb në një venddepozitim në Filipinet qendrore të enjten. Një 22-vjeçare ka humbur jetën dhe 38 persona janë zhdukur, thanë autoritetet.

Ekipet e shpëtimit nxorën 12 të plagosur, punonjës të shërbimeve sanitare të plagosur nga rrënojat në venddepozitimin Binalw në qytetin Cebu, të cilët më pas u dërguan në spital.

Besohet se shumë prej viktimave janë punonjës në venddepozitim, raporton BBC. Shkaku i shembjes mbetet ende i paqartë.

Rreth 300 persona nga agjenci të ndryshme qeveritare dhe grupe civile janë angazhuar në venddepozitimin në pronësi private. Në vendngjarje janë parë gjithashtu disa ekskavatorë, autoambulanca dhe mjete zjarrfikëse.

“Të gjitha ekipet e emergjencës mbeten plotësisht të angazhuara në përpjekjet e kërkimit dhe nxjerrjes për të gjetur personat e mbetur të zhdukur”, tha kryetari i Bashkisë së Cebu-t, Nestor Archival, në një postim në Facebook të premten.

Këshilltari i qytetit Cebu, Joel Garganera, tha se incidenti mund të ketë ndodhur papritur, por ka të ngjarë të jetë rezultat i praktikave të dobëta të menaxhimit të mbetjeve.

Operatorët kishin prerë malin e mbetjeve, duke nxjerrë dheun, dhe më pas kishin grumbulluar mbeturina për të formuar një tjetër mal mbetjesh, tha Garganera për gazetën lokale The Freeman.

“Nuk është një venddepozitim sanitar. Është tashmë një vendgrumbullim i hapur mbetjesh”, tha ai.

Venddepozitimet janë të zakonshme në qytetet e mëdha të Filipineve, si Cebu, i cili është qendra tregtare dhe porta e transportit e Visayas-it, ishujve qendrorë. Venddepozitimi Binaliw ka një sipërfaqe prej 10 hektarësh.