PËRMET- Report Tv udhëton në fshatin Mokricë në familjen e Bektash Dostit, që prej shembjes së banesës jetojnë në plevicën e bagëtive. Për shkak të amortizimit, shtëpia e vjetër është shembur plotësisht por fatmirësisht ka shpëtuar kryefamiljarja.

 “Mamaja ishte brenda në atë kohë. Kur u trondit shtëpia ajo ishte brenda dhe është mbrojtur vetëm në një cep të dhomës, desh e zuri brenda  se do dilte nga dhoma në dhomë. Ka rënë komplet shtëpia", tregon djali.

Kryefamiljari Bektash Dosti tregon se ka dëbuar bagëtitë dhe lopën nga hauri duke e shndërruar në strehë të përkohshme.

“Ra korridori aty, pastaj ra kjo pjesa këtu.  Shpëtuam që s'na zu brenda. Futu shikoje dyshekun aty, jemi futur në stallën e lopëve”, tha Dosti,

Pamjet që transmeton Report Tv tregojnë kushtet e mjerueshme, aspak njerëzore ku kalojnë ditët e ftohta dy djemtë dhe çifti Dosti, të gjithë të papunë. E vetmja kërkesë e tyre është sigurimi i një çadre ku të fusin kokën.

 “Flenë me plastmas, batanijet janë në kasollën e bagëtive”, ka treguar gruaja.

Kanë kërkuar ndihmë prej muajsh, por Bashkia e Përmetit nuk ka mundur t'i sigurojë një çadër. Shefi i Emergjencave Civile pranë këtij institucioni e delegon përgjegjësinë tek Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Tiranë.

Shkresa përcjellëse për në Prefekturë dhe Agjencinë Kombëtare të Emergjencave janë dërguar që në javën e parë se vetë ne nuk disponojmë çadër.  Do bëhet preventivi sa është kostoja”, tha kreu i emergjencave Civile Përmet.