Gazetarja e Report TV, Joana Preja, i ka drejtuar disa pyetje kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli dhe zv.ministrit të Infrastrukturës, Hantin Bonati, lidhur me shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas.

“Zoti Kozeli ju folët për një terren që ndikohet nga mbingopja e ujërave. A ka ndikuar në shembjen edhe punimet për segmentin e rrugës në Korridorin VIII? U tha gjithashtu se masivi i asaj zone ka një rrëshqitje të aktivizuar 3 vite më parë. A është marrë në konsideratë kjo rrethanë kur është vendosur që ky segment i ri të kalojë në atë zonë? Po ashtu përmendët edhe erozionin e lumit Shkumbin. Nëse do i ndanit shkaqet me përqindje, në çfarë mase ka ndikuar erozioni lumor? Dhe disa pyetje për zv.ministrin. A keni dijeni nëse janë kontrolluar lejet për shfrytëzimin e inerteve? A ka pasur kontrolle nëse janë zbatuar brenda kritereve ligjore? Nëse po çfarë keni evidentuar dhe a ka pasur gërryerje të lumit pranë rrugës së shembur te Ura e Dragostunjës dhe nëse po te cila kompani nga këto leje që janë dhënë?“, ishin pyetjet e gazetares së Report TV, Joana Preja.

Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetares së Report TV, Kozeli tha se shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin e rrugës Korridori VIII, që kalon aty pranë.

Po ashtu ai tha se shkak kryesor është mbingopja nga uji dhe ndikimi i erozionit lumor, që sipas tij, masa e këtij ndikimi nuk është e përcaktuar në përqindje.

“Lidhur me mbingopjen nga uji këtë u’a konfirmoi edhe drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, por ky nuk është një fenomen i konstatuar nga ARRSH, por nga të gjitha institucionet përkatëse. Lidhur me masat e ndikimit lumor, nëse unë arrij t’i përcaktojë në përqindje, nuk besoj se është askush në gjendje që t’i përcaktojë në përqindje. Ai thjeshtë konstatohet si fenomen dhe adresohet për të bërë të mundur masat mbrojtëse. Rruga e re nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë, ose nuk ka asnjë fakt shkencor që ta lidhë rrugën e re. Por unë them që një komponent shumë i rëndësishëm i rrugës së re të Korridorit VIII është edhe mbrojtja lumore e lumit Shkumbin, që ju e gjeni të realizuar dhe të përfunduar në akset fillestare në Fushë-Labinot. Ky është një nga komponentët më të rëndësishëm, pasi është identifikuar një problem i tillë në këtë aks rrugor, që është edhe ujëmbajtës“, tha mes të tjerash Kozeli.

Nga ana tjetër, zv.ministri i Infrastrukturës iu shmang pyetjeve të gazetares së Report TV, duke thënë se nuk kishte informacione të sakta lidhur me pyetjet e ngritura prej saj.

“Nuk e kam një informacion të saktë lidhur me pyetjen tuaj, por di që gjithë strukturat janë të angazhuara maksimalisht për të bërë të gjitha verifikimet përkatëse, që të mos kemi problematika të kësaj natyre“, tha zv.ministri i Infrastrukturës.


Lajmi kryesor:

Dëmtimi dhe bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, kreu i ARRSH: Shkak erozioni dhe shirat! Do të ndërtojmë një rrugë alternative 1.3 kilometra të gjatë, shembim urën