Drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, është shprehur se shembja e rrugës Librazhd-Pogradec dhe hekurudhës që ndodhet aty pranë erdhi si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin.

Sipas Verdhos, masivi i kësaj zone ka pësuar një rrëshqitje që është aktivizuar 30 vite më parë.

“Segmenti hekurudhor Elbasan-Pogradec ndodhet në këtë fazë të dytë. E gjithë linja ka që në 2012 që nuk përfshihet nga operimi dhe monitorohet herë pas here nga vrojtuesit e mjeteve që bëjnë raportim mujor në Drejtorinë e Infrastrukturës. Në kilometrin 103-700 në Dragostunjë, pjesë e këtij segmenti, si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, kemi pasur problematika të shtuara në këtë kilometër, ku unë do të shtoja masivi, jo rruga apo hekurudha, masivi i asaj zone ka një rrëshqitje që është e aktivizuar me 30 vite përpara. Ky masiv, i ngarkuar nga shirat e 4 muajve të fundit, bëri të mundur nga shumë faktorë të ndryshëm, si shiu, volumetria e të qenit në këtë kilometër, si dhe lumi Shkumbin me rritje të shtratit dhe përplasje me shtratin e hekurudhës, bëri të mundur planin rrëshqitës.

Gjithë strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme. Ne do marrim hapat tona, të krijimit të asaj rrugës permanente për pjesën e shtratit lumor. Do marrim masa për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shtrat, duke bërë prita në Shkumbin. Lehtësimi i shpatit të malit është shumë i nevojshëm, për të mos u përfshirë në planin e rrëshqitjes. Në studimet gjeologjike ne do të përftojmë koeficentin e fërkimit, sigmën, planin e rrëshqitjes, gjithë këto elementë që ne do të na duhen për të projektuar rrugën e re provizore, apo rrugën e re të Korridorit VIII”, tha mes të tjerash Verdho.


Lajmi kryesor:

Dëmtimi dhe bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, kreu i ARRSH: Do të ndërtojmë një rrugë alternative dhe urë të re