Qeveria nuk do tërhiqet nga plani vendor për ndërtimin e shëtitores së Himarës, projekt i cili prek disa banesa të vjetra. Ministrat Damian Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro kanë zhvilluar këtë të premte një takim me një përfaqësi të banorëve himariotë në Vlorë. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa kanë marrë pjesë edhe krerët e Omonias, Vasil Bollano dhe Fredi Beleri. 

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri ka deklaruar se banorët të cilët preken nga ky projekt do kompensohen me vlerën e tregut.  "Do bëhen kompensime dhe dëmshpërblimet për çdo banesë e cila preket nga zbatimi i këtij projekti. Banorët do kompensohen me vlerën e tregut", ka deklaruar Gjiknuri në këtë takim. Palët kanë rënë dakord për të zhvilluar edhe një takim tjetër të premten e ardhshme për gjetjen e një rrugëzgjidhje lidhur me këtë çështje.

"Javën tjetër do bëjmë një takim të fundit ku do sqarojmë të gjithë personat se si do të zbatohet projekti, në bazë të ligjit në fuqi dhe nëse ka njeri që preket nga ky projekt por nuk është përfshirë do të përfshihet. Ne do të hapim një degë të posaçme të zyrës së Hipotekës së Vlorës në Himarë, që qytetarët të mos sorollaten rrugëve", deklaroi Gjiknuri.

Plani vendor i Himarës prek rreth 80 banesa përgjatë shëtitores e cila parashikohet të shtrihet deri në Potam. Kjo çështje është shndërruar edhe në mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës. Greqia pretendon se shtëpitë e vjetra të cilat do shemben i përkasin minoritetit grek, ndërsa Tirana zyrtare nuk njeh ekzistencën e pakicës greke në Himarë. Jo më larg se një ditë më parë ministri i Jashtëm grek, Kotzias i kujtoi Tiranës detyrimet që rrjedhin lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe konkretisht të minoritetit grek në Himarë. 
gjiknuri takimi vlore
(Nga takimi i Gjiknurit e Kumbaros me himariotët)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com