Prej 4 ditësh, qarkullimi drejt juglindjes është paralizuar për shkak të shembjes totale në rrugën kombëtare Librazhd-Pogradec. Rruga është e bllokuar dhe nuk dihet se për sa kohë do të vijojë e tillë. Çarja e asfaltit përfundoi me për fundosjen totale të rrugës.

Situata sot është përkeqësuar në zonën e quajtur 'Arrat e Gurrës', ku vijojnë rrëshqitjet e tokës. Për shkak të rrëshqitjeve të dherave është dëmtuar edhe traseja e rrugës së re, pjesë e Korridorit VIII.

Ura ka degraduar plotësisht, asfalti ka ceduar dhe duket se është i pariparueshëm. Dje ndaloi edhe puna për hapjen e by-pass provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese, pasi jeta e punëtorëve ishte ne rrezik. Report Tv mëson se pritet një relacion nga Shërbimi Gjeologjik, në mënyrë që të nisë ndërhyrja.

Një nga alternativat është ndërtimi i një rruge provizore paralel me hekurudhën, por pritet të mblidhet Këshilli Teknik për të vendosur mbi mënyrën se si do të ndërhyhet.

Për Qeverinë, përfaqësuar në këtë rast nga ARRSH-ja, rrëshqitja është fenomen natyror shkaktuar nga shiu, por prokuroria ka dyshime se mund të jetë abuzuar nga kompanitë që po ndërtojnë korridorin e VIII. Prej se dielës kanë nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Burime për Report Tv thonë se deri më tani është bërë këqyra e vendit të shembjes dhe janë mbledhur dokumentacionet mbi rrugën. Burimet thonë se hetimi është shumë kompleks, ndërsa prokuroria ka bërë këqyrje të gërryerjes së lumit.

Lotin e shtatë të autostradës e ka fituar kompania “ANK”, kantieri i se cilës ndodhet 2 km larg vendit ku u shemb rruga ekzistuese. Po kjo kompani, në pronësi të Agim Kolës, u pa këto ditë në terren, e kontraktuar nga ARRSH-ja për hapjen e bypass-it provizor.

Qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit e Librazhdit për të ardhur në Tiranë duhet të lëvizin në rrugën Maliq – Gramsh, e cila jo vetëm zgjat distancën por nuk ofron siguri. Një alternative tjetër por më e mundimshme është nga Tepelena e Leskoviku. Ndërsa maunet e Maqedonisë së Veriut lëvizin nga Rruga e Arbrit.

RRUGËT ALTERNATIVE TIRANË- KORÇË
Për autoveturat:
Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni - Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbrit