TIRANE - Ish-drejtori i policisë së qarkut Dibër Shemsi Prençi i ftuar në studion e A1REPORT!, ka akuzuar drejtpërdrejtë shtetin dhe organet e tij se kanë lidhje me krimin e ndodhur herë pas here mes grupeve kriminale të kromit në minierën e Bulqizës.

Sot një vit pas dorëheqjes së tij nga posti Prençi thotë se këto fatkeqësi i ka paralajmëruar, që në kohën kur ai drejtonte policinë e Dibrës pasi në Bulqizë ka shumë kompani të paligjshme.

“Kam dhënë alarmin për mafian, që nga qendra deri në bazë, nuk më vjen mirë që atë që kam thënë para një vit po provohet cdo ditë me këto vrasje”.

“Nuk janë ngjarje aksidentale, por kriminiale ku shteti i pret këto pasoja për shkak të infektimit, që në rrënjë, është po ajo strukturë policie, është po ajo vëmendje e zyrtarëve të lartë të shtetit.”

Prençi bën apel shtetit, që të reagojë pasi ngjarja e sotme është vërtetë kulmore.

“Nuk ndjehem mirë që herë pas here prononcohem për Bulqizën dhe ngjarja e sotme është kulmore dhe them nëse ka ngelë qelizë e shtetit në këmbë duhet të reagojë.”

Ish-drejtori policisë ka thënë në studio se autori është dënuar me 7 vite burg dhe është lënë i lirë duke kryer vetëm një vit të dënimit ku njërin prej vëllezërve, që e vrau sot e ka plagosur një vit më parë.

Prençi i ka cilësuar këto grupe si mafioze, kriminale pasi nuk ekziston një grup pune që t’i mbajë nën kontroll dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për krom por për jetë njerëzish.

I pyetur se cila do të ishte zgjidhja zoti Prençi ka shpjeguar se ” Në aspektin e kontrollit do jepja zgjidhjen duke ndryshuar strukturën e policisë, që të mos jetë më si 10 vjet më parë”.

Redaksia Online
(ad.ti/shqiptarja.com)