Shën Pali punoi në brigjet e Adriatikut

Shën Pali punoi në brigjet e Adriatikut
Studiuesi Thanas gjika ndërton skemën e  udhëtimin e tretë misionar të apostullit Pal, duke përvijuar kalimin e tij edhe në zonat fshatare të Tiranës, Mirditës, Zadrimës e më tej Lezhë, Durrës e Nikopoli... 

Apostulli Pal është një nga përhapësit e parë të krishtërimit, misionar i përkushtuar për shkëputjen e fesë së krishterë prej judaizmit dhe kthimin e saj në fe botërore. Ky personalitet ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e historianëve të krishtërimit, teologëve dhe filologëve të teksteve të shenjta.

Deri më sot, për jetën dhe veprën e tij janë shkruar shumë biografi e komente, por studimi që kemi në dorë, është një biografi që mëton të shtrojë teza të reja e të sjellë të dhëna të reja faktike të nxjerra kryesisht prej tekstit biblik, duke përdorur një metodë të re studimi dhe analiza të thelluara. Në këtë studim, që shquhet për frymën kritike e polemike, ndiqen hap pas hapi lëvizjet e Shën Palit dhe rrugëkalimi i shoqëruesve të tij si Luka, Timoteu, Marku, Apolloni, Sosteni, Sopatri, Onesimi, Dema etj. Kjo i ka dhënë studimit karakterin e një biografie paralele të jetës së heroit dhe të shoqëruesve të tij.

Një aspekt tjetër i ri i këtij studimi është dhe përpjekja për të nxjerrë në dritë rolin ndikues të këtij apostulli në krijimtarinë epistolare të Pjetrit, Jakobit etj.
Pohimet e disa studiuesve se në trashëgiminë epistolare të Palit ka katër letra të përbëra nga bashkimi i fragmenteve të letrave të dëmtuara, studiuesi Gjika i shpie më tej, duke sqaruar se në letrat paliane ka gjashtë letra të përbëra. Duke nxjerrë fakte prej tyre, ai përcakton kohën, vendin dhe shkakun pse është shkruar secila letër prej së cilës ruhet fragmenti.

Kështu, ky studim e pasuron jetën dhe krijimtarinë e Shën Palit duke mëtuar të saktësojë data dhe vende të hartimit të letrave të tij, çka ka shpënë në zgjerimin e udhëtimit të tij të tretë misionar edhe në qytetet e bregdetit Adriatik. Me interes të veçantë është teza e re sipas së cilës letra kryesore e Palit, letra kanoni-ke Romakëve është letër e përbërë nga bashkimi i një letre të plotë (Rom 1-15), shkruar në Durrës në verë të vitit 56 mb. Kr., dhe i një fragmenti që i përket një letre të shkurtër rekomanduese, të cilën autori e shkroi në portin Kenkrea të Korintit në mars të vitit 57 mb. Kr.

Problemi i vizitës së Shën Palit në trojet ilire ka qenë i njohur dhe i pranuar prej shumë historianësh dhe studiuesish të Biblës, mbasi vetë ky apostull ka shkruar se e predikoi Fjalën e Zotit deri në Ilirik. Mirëpo interpretimi i këtij pohimi paraqet mëdyshje, studiuesit nuk kanë dhënë një shpjegim të qartë se si dhe kur shkoi ai deri në Ilirik, në cilat vende ndaloi para se të arrinte atje, dhe në cilat qytete ndaloi kur u largua prej provincës së Ilirikut e mbërriti në Korint të Akesë (Greqisë). Përmes fakteve që paraqet, ky studiues ndërton skemën e tij për udhëtimin e tretë misionar të apostullit Pal, duke përvijuar kalimin e tij edhe në zonat fshatare të Tiranës, Mirditës, Zadrimës dhe në qytetet bregdetare të Adriatikut lindor, si Lezha (Lissus), Durrësi (Dyrrachium) e Nikopoli (Nikopolis).

Në hartat e mëparshme që e pranonin vizitën e Shën Palit në trojet ilire, përvijohet vajtja e këtij apostulli në mënyra të ndryshme. Diku përvijohet vajtja e tij prej Thesalonikut deri afër Shkodrës dhe kthim në Thesalonik e më tej në Korint; diku përvijohet kalimi nga Thesaloniku në Durrës, pastaj kalimi në Nikopol e më tej në Korint; diku përvijohet vajtja e tij nga Thesaloniku në Durrës e kthim në Thesalonik e më tej në Korint.

Lidhur me botën iliroshqiptare, një risi tjetër e këtij studimi është dhe ndërtimi i udhëtimit të katërt misionar të Shën Palit, udhëtim që u krye pasi apostulli u lirua prej burgimit të parë të Romës. Ky aspekt është trajtuar pak në biografitë e mëparshme ose, sipas autorit, është trajtuar keq. Në këtë pjesë të studimit Gjika ka provuar se Shën Pali nuk shkoi drejt Spanjës, siç hamendësohet pa argumente nga studiues të ndryshëm, por drejt Jerusalemit, sepse aty ishte vrarë drejtuesi i kishës, Shën Jakobi. Shën Pali kaloi nga Roma në Brindis, në Durrës, ku mori Apollonin; në Nikopol, ku mori Titin; në Kretë, ku la Titin për të ndrequr disa gabime në organizimin e kishave; në Cezarea të Judesë, ku i shkroi letrën Titit; në Milet, ku la Trofimin të sëmurë; në Nikopol, ku kaloi dimrin e viteve 62-63 mb. Kr. Kur u kthye nga ky udhëtim në Romë, apostullin Pal e riburgosën dhe mbas një viti e vranë bashkë me Shën Pjetrin e të krishterë të tjerë më 29 qershor të vitit 64 mb. Kr.

Hartat e udhëtimit të tretë e të katërt misionar të apostullit Pal në këtë studim paraqiten më të plota e më bindëse.
Për vlerat që ka ky studim, për pasionin e kërkimit dhe tezat e reja që parashtron, mendojmë se duhet botuar sa më parë në gjuhë të huaja. Me të dhënat e reja të këtij studimi, tekstologjia biblike shqiptare ka mundësi të realizojë një botim të ri të Dhiatës së Re me shënime dhe harta të reja, vepër që mund të botohet më tej edhe në gjuhë të tjera.
 
Mbi autorin
Prof. as. dr. Thanas Ligor GJIKA u lind më 2 korrik1944 në Korçë, ku mbaroi gjimnazin. Studimet e larta i kreu në Tiranë në vitet 1962-66 në USHT, Fakulteti Histori Filologji, dega Gjuhë Letërsi Shqipe. Në vitet 1966-69 punoi si redaktor e gazetar në Radio Tirana. Në vitet 1970-1996 punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të A.Sh.Sh, ku mori formim për analizën e tekstit letrar e publicistik. Ka shkruar e botuar shumë artikuj, kumtesa, referate dhe disa vepra shkencore si Mihal Grameno Publicist Demokrat 1980, 277 f.; Kur Dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re 2007, 503 f.; Evolimi Ynë Kërkon Njohjen dhe Dënimin e Fajit 2011, 308 f.; Mihal Grameno, jeta dhe vepra. 2012, 506 f.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

U mposht nga një 'mashkull', boksierja italiane e shokuar: Pyesja veten me kë po përballem? Nuk ngjitem më në ring

U mposht nga një 'mashkull', boksierja italiane e shokuar: Pyesja veten me kë po përballem? Nuk ngjitem më në ring