TIRANE, 8 Janar/ATSH/-Çdo stinë ka këshillat dhe mënyrat e veta për ta përballuar më së miri. Ndër këto këshilla, rëndësi të veçantë marrin edhe mënyrat e të ushqyerit dhe ja një listë që duhet të përdorni për të përballuar me lehtësi stinën e dimrit.
Çokollata e ngrohtë 
Çokollata e zezë përmban flavonoide, një lloj antioksiduesi që mendohet që redukton dëmin e shkaktuar nga radikalet e lira, nxitës potencial të tumoreve dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Një studim i publikuar në "Journal of Immunology Research" tregon që rruazat e kuqe të gjakut janë më pak të prekshme nga radikalet e lira pas konsumit të një pijeje me kakao të pasur me flavonoide.
Fasule të kuqe 
Këto i kemi shfrytëzuar edhe pa e ditur që na mbajnë ngrohtë. Fasulet e kuqe janë një burim i mirë hekuri dhe bakri. Duke ngrënë disa lugë me një supë apo gjellë të gatuara me to, ndihmon muskujt të përdorin më shumë oksigjen dhe sistemi imunitar forcohet. Një pjatë përmban mesatarisht nga 15 gramë proteina dhe fibra. Ndryshe nga ushqimet proteinike shtazore, fasulet e zeza pothuajse nuk përmbajnë yndyra të pangopura. Studimet e American Chemical Society tregojnë gjithashtu që lëkura e tyre e errët përmban nivele të larta të flavonoideve, antioksidues që luftojnë sëmundjet, në krahasim me lloje të tjera fasulesh.
Lakra Brukseli
Këto lakra të vogla do ju ndihmojnë të përballoni të ftohtin. Përveç që kanë fibra dhe fitonutirentë të dobishëm, kanë dhe shumë vitaminë C me 74.8 miligramë për një filxhan. Ajo nuk do parandalojë plotësisht rrufën, por është vërtetuar që shkurton kohëzgjatjen e simptomave të ftohjes. Me pak vaj ulliri do zbutet edhe shija pak e hidhur e këtyre lakrave.
Supë kungulli 
Nëse të mungon vitamina A, një pjatë me supë kungulli do të ndihmojë. Shumica e femrave duhet të marrin 700 mikrogramë në ditë sipas Institutit amerikan të Shëndetit, sasi që e përmban shumica e porcioneve të gatimeve me kungull. Kungulli ka gjithashtu veti antioksiduese sepse përmban beta-karoten, një pigment që gjendet në perimet me ngjyrë të ndritshme dhe mendohet që ka veti që luftojnë kancerin. Në një studim në qendrën e Kërkimit Antikancer, u trajtuan qelizat kanceroze të gjoksit të gruas me karotenoid, përfshirë beta-karoten dhe likopen dhe u zbulua që mund të ndalojë rritjen.
Salca pikante
Specat djegës përmbajnë capsaicin. Ky nuk jep vetëm shije, por nxit metabolizmin dhe lufton depozitimin e yndyrave. Kur bashkohet me një dietë të pasur me yndyrë, capsaicin rrit masën trupore me 8%, sipas një studimi te kafshët të kryer nga studiuesit koreanë. Nuk mbaron këtu, sepse salca e domateve është e pasur me likopen dhe qepët kanë antioksidantë. Mundohu të mos përdorësh shumë mish të kuq. Instituti Kombëtar i Shëndetit ka gjetur që burrat dhe gratë që konsumonin më shumë mish të kuq ishin në rrezik për sëmundje të ndryshme.
Arrat
Arrat janë të mira gjatë gjithë vitit, por në dimër edhe më shumë. Ato janë të pasura me acid alpha-linolenic (ALA), një yndyrë omega-3 që mendohet që forcon zemrën.
Mollët
Ky frut ka fibra të tretshme dhe të patretshme. Të parat ngadalësojnë tretjen dhe të dytat bëjnë që ushqimi të kalojë në aparatin tretës më lehtë. Kjo do të thotë më pak uri dhe më pak shqetësime me zorrët. Vetëm që duhet të mos ua heqësh lëkurën, sepse është burim më i përqendruar fibrash sesa tuli. Nëse i hedh edhe pak kanellë sipër do marrësh edhe antioksidues. Mollët përmbajnë 86% ujë, gjë që do të mbajë të hidratuar.
Patate të ëmbla
Ashtu si kungulli, patatet e ëmbla janë të pasura me vitaminë A. Një kokërr mesatare e pjekur përmban 438% të sasisë ditore. Ato janë të pasura edhe me vitaminë C, kalcium, kalium dhe pak hekur. Servire me rozmarinë. Ajo ka Vitaminë B dhe fitokimikate antitumorale. Këta përbërës mendohet të bllokojnë veprimin që kanë karcinogjenet në indet e trupit, sipas American Cancer Society.
Kungujt
Përveç kalciumit dhe vitaminës C, shumë varietete kungujsh janë të pasur me kalium. Ata janë një mik i zemrës dhe kanë shumë vitamina A si dhe fibra. Një filxhan me kubikë kungujsh të pjekur ka 457% të sasisë ditore me vitaminë A, 7 gramë fibra dhe vetëm 82 kalori. Piqini dhe hidhini sipër kripë, piper dhe erëza të tjera. /a.gegvataj/