TIRANË – Shefat e Shërbimeve në QSUT do të vazhdojnë të zgjidhen me konkurs dhe jo të emërohen, pas propozimit të ish-Ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili në Komisionin e Shëndetësisë sot. Ky vendim shënon një tërheqje të përkohshme nga drafti i ri i arsimit të lartë, propozuar nga mazhoranca.
 
Gjatë diskutimit të këtij drafti në Komisionin e Shëndetësisë, Vasili ka dhënë argumentet e tij se përse nuk duhet të hiqen konkurset, qoftë edhe për një periudhë tranzitore. Ai tha: "Tërë struktura e konfiguruar është në shërbim dhe jo e zgjedhur në mënyrëtë njëanshme por e vetëzgjedhur. Çështja shtrohet vetëm në një rast kur shtohen një shërbim i ri, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Nuk kemi sot asnjë të tillë që të ishte objekt për një shqetësim madhor. Si mund të vihemi në lëvizje ne sepse dikushi kompromentoka korpusin e gjithë shërbimeve dhe ky për mendimin tim nuk është një kriter i shëndetshëm por një kriter abuzivisht heq merakun e njerit në kurriz të gjithë të tjerëve."

Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka shpjeguar se pse ky dikaster e ka parë të nevojshëme, ndërhyrjen me një ligj të veçantë, për të rregulluar punën  e Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza” dhe të Universitetit të Mjekësisë.

"Rektorati dhe këshilli i profesorëve," - tha ai, - "të vetmin kontestim kanë përbërjen e bordit. Studentët janë keqinformuar për atë diskutim që është hapur edhe në publik që po bien zgjedhjet dhe po rikthehet emërimi. Ministrja e sqaroi shumë mirë që kemi zgjeruar nenin ekzistues të caktimit të drejtuesve ku hallka të ndryshme krijohen për herë të parë." 

Projektligji i ri i arsimit të lartë që prek drejtpërdrejt QSUT-në është pritur me debate nga një pjesë e shefave të shërbimeve të QSUT dhe me protesta nga studentët e mjekësisë, pasi e konsiderojnë atë ndërhyrje direkte në autonominë e universitetit. 

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)