Rrëqebulli në Malet e Mirditës
NJU JORK, 25 dhjetor /ATSH-SCIENCE/ - Rimëkëmbja e mishngrënësve të mëdhenj në Evropë është një sukses i madh për ruajtjen e natyrës. Në një të tretën e kontinentit së paku një prej llojeve të mishngrënësve të mëdhenj është i pranishëm sipas një artikulli të botuar në revistën prestigjoze shkencore "Science". Studimi, për të cilin kanë kontribuar kërkues nga 26 vende të kontinentit, tregon se Evropa është një shembull i shkëlqyer ku njerëzit dhe mishngrënësit mund të ndajnë të njëjtat mjedise, thotë autori kryesor Guillaume Chapron, nga Universiteti Suedez i Shkencave Bujqësore (SLU). Studimi ka një rëndësi madhore për vendin tonë, pasi përpos rritjes së vëmendjes ndaj gjendjes së këtyre llojeve të faunës sonë, për herë të parë, kërkues shkencorë nga Shqipëria japin kontributin e tyre si bashkë-autorë të një publikimi në një nga revistat më prestigjoze shkencore të Botës.
Në fillim të shekullit XX, mishngrënësit e mëdhenj ishin zhdukur nga pjesa më e madhe e Evropës, me vetëm disa popullata relikte të pranishme. Tashmë nëpër Evropë ka popullata të qëndrueshme ose në rritje të Ariut, Ujkut, Rrëqebullit dhe Volverinit (Grykësit) dhe ato nuk jetojnë në zona natyrore larg njerëzve, por në peisazhe dhe mjedise të dominuara nga njeriu.
Ky përbën një ndryshim të madh në krahasim me strategjitë që ndiqen në pjesë të tjera të botës ku mishngrënëst mbrohen kryesisht në parqe të mëdhenj kombëtarë ose zona të gjera të natyrës së egër, të veçuara dhe pa ndikim nga njerëzit.  Në se Evropa do të kishte zgjedhur të njëjtin model, atëhere me siguri ne nuk do të kishim ndonjë prej mishngrënësve të mëdhenj, pasi në asnjë zonë të Evropës nuk ka sipërfaqe mjaftueshëmt të mëdha të natyrës së egër, të pa prekura apo pa ndikim nga njerëzit.
Ariu i Murrmë në Valbonë
"Kjo është një histori suksesi që mbështetet në një legjislacion të mirë, qëndrueshmëri politike, institucione të forta dhe një opinion publik të favorshëm", thotë  Guillaume Chapron, kërkues pranë Stacionit të Jetës së Egër "Grimso", Departmenti i Ekologjisë,  të  SLU-së.  Për më tepër, pyjet e Europës dhe popullatat e barëngrënësve të mëdhenj janë në një gjendje më të mirë sot se sa 100 vjet më parë.
Për këtë artikull kanë kontribuar 76 kërkues shkencorë, ndër të cilët dhe katër studiues nga Shqipëria.  Ata kanë grumbulluar të dhënat më të fundit dhe kanë prodhuar hartat e shpërndarjes së mishngrënësve të mëdhenj në pjesën më të madhe të Evropës.
Kërkuesit shqiptarë kanë më se një dekadë që punojnë duke monitoruar gjendjen dhe grumbulluar të dhëna mbi mishngrënësit e mëdhenj. Kjo punë e gjatë është udhëhequr nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe mbështetur nga institucione të tjera akademike si Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
"Shqipëria hyn në vendet që kanë ruajtur komunitetin e plotë të mishngrënësëve të mëdhenj, të pranishëm në territoret e saj prej mijëra vitesh, përfshirë ariun (Ursus arctos), ujkun (Canis lupus) dhe rrëqebullin (Lynx lynx)" thotë Aleksandër Trajçe, bashkëautor i artikullit, përfaqësues i Shqipërisë në Iniciativën Europiane për Mishngrënësit e Mëdhenj (LCIE) dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Ky fakt përbën një pasuri të madhe natyrore
Ujku ne Parkun Kombetar Shebenik-Jabllanice
Problemi më i madh që haset me këto kafshë të egra është dëmtimi i bagëtive, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën. Një numër praktikash që zvogëlojnë dëmtimin e bagëtive, si gardhet elektrikë dhe ruajtja e bagëtive me qen të përshtatshëm mund të lehtësojnë këtë bashkëjetesë. Në këtë aspekt, Shqipëria mund të shërbejë si një model për shtetet e tjera të Europës, pasi në vendin tonë një sërë praktikash tradicionale për ruajtjen e bagëtive - si prania konstante e barinjve gjatë kullotjes, rrethimi i bagëtive gjatë natës dhe mbajtja e qenve të stanit - mbijetojnë ende dhe kanë siguruar një bashkëjetesë me mishngrënësit e mëdhenj ndër shekuj, pa i zhdukur ata, në dallim nga shumë vende të Evropës.
Artikulli ka patur një jehonë të jashtëzakonshme në mediat ndërkombëtare botërore përfshirë The Guardian (Britani), Le Monde (Francë), Fox News (Shtetet e Bashkuara) dhe Der Spiegel (Gjermani).