ATHINË, 23 dhjetor /ATSH-ANA-MPA/ - Kryeministri grek, Antonis Samaras deklaroi sot se çdo deputet do të përballej me agoninë e popullit në turin e tretë të votimit për presidentin e republikës, ndërkohë që në dy turet e para parlamenti dështoi në zgjedhjen e shefit të shtetit.
"Megjithë mosmarrëveshjet dhe me gjithë terrorizmin dhe baltën e duetit Cipras-Kamenos, edhe deputetë të tjerë sot votuan Stavros Dimasin për president të republikës.
Shpresoj që në votimin e tretë ta shmangim rrezikun kombëtar, aventurën kombëtare", theksoi kryeministri Samaras.
Ai shtoi se në votimin e tretë "nuk do të ketë votë me abstenim, por votë me emër e mbiemër".
Samaras i ftoi gjithë deputetët që të mendojnë përgjegjësinë e tyre dhe të mos e fusin vendin në një aventurë kombëtare.
Parlamenti grek dështoi përsëri sot në zgjedhjen e presidentit të Republikës, pasi më shumë se 100 deputetë nga 300 refuzuan të votojnë për kandidatin e qeverisë, Stavros Dimas.
Ky dështim nënkupton organizimin e një raundi të tretë dhe të fundit që do të zhvillohet të hënën e ardhshme, këtë herë me një maxhorancë të thjeshtë që duhet të jetë 180 deputetë nga 300.
Në rast dështimi, parlamenti do të shpërbëhet dhe do të organizohen zgjedhje legjislative të parakohshme në fund të janarit ose në fillim të shkurtit./ a.jor.












