Publikohet logoja zyrtare e eventit të shenjtërimit të Nënë Terezës që do të mbahet me 4 shtator në Vatikan. Logoja është krijuar në qytetin Mumbai të Indisë nga dizenjatorja indiane, Karen Vaswani nee D’Lima, besimtare katolike e Urdhërit të Nënë Terezës në lagjen Mahim të këtij qyteti.
 
Artistja indiane e ka nisur karrierën e saj në moshën 21 vjeçare dhe ka shërbyer si dizenjatore për mjaft kisha në Indi.
 
Megjithëse Karen Vaswani nee D’Lima nuk e ka takuar kurrë personalisht Nënë Terezën, ajo tregon se e ka admiruar gjithmonë veprën e saj, vepër e cila e ka frymëzuar profesionalisht dhe në mjaft aktivitete bamirësie.
 
Ipeshkvia e Kalkutës e kishte kontaktuar artisten Karen Vaswani nee D’Lima  për të dizenjuar logon e celebrimit të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Kalkuta.
 
“Pas realizimit drejtuesja e përgjithshme e urdhërit të Motrave të Nënë Terezës në Indi, Motra Prema, e pëlqeu aq shumë sa u vendos ta adoptojnë dhe për eventin zyrtar që do të mbahet më 4 shtator në Vatikan. Jam mjaft e kënaqur dhe mirënjohëse për këtë”, tha ajo.
 
Artistja deklaron se ka punuar 3 ditë për realizmin e kësaj logoje.
 
“Tema e zgjedhur nga Vatikani, thotë ajo ishte “Përcjellja e dashurisë dhe e mëshirës së Zotit”, kështu vendosa të punoj mbi një pozim klasik të Nënë Terezës, e cila mban me shumë dashuri ndër duar një fëmijë. Preferova të përdor një stil mjaft të thjeshtë në grafik e vetëm, dy ngjyra, gjë që lejon të përdoret me mjaft lehtësi nga të gjitha tipologjitë e mediave.”
 
Karen Vaswani nee D’Lima thotë se gjatë punimit të kësaj logo-je është lutur vazhdimisht, duke falenderuar Zotin për mundësinë që i dha, si dhe duke e falenderuar gjithashtu dhe për frymëzimin në realizimin e kësaj logo të thjeshtë e të fuqishme.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com