TIRANË- Shënohen dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë në një njoftim zyrtar pas mesnate, konfirmoi dy rastet e para me koronavirusin e ri COVID-19 në vendin tonë.

Bëhet fjalë për një 28-vjeçar me inicialet P.K.. Ai ka ardhur nga Firence në Shqipëri me makinë në rrugë tokësore dhe pas kontaktit ka infektuar edhe babanë, V.K.. 28-vjeçari ka hyrë në Shqipëri më 26 shkurt, e ndërsa është zbuluar që është prekur nga ky virus mbrëmjen e djeshme, pas analizave të bëra.

Sipas Ministrisë, gjendja e dy të prekurve, është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione.  Ata po trajtohen në Spitalin Infektiv, teksa informacione zyrtare bëjnë me dije se janë marrë mostrat e kontakteve të ngushta të cilët janë izoluar, për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Si masë mbrojtëse, Urgjenca e Infektimit është dezinfektuar ditën e sotme. 

Ndërkohë, pika Kufitare e Hanit të Hotit, hedh poshtë Ministrinë e Shëndetësisë, duke mohuar që i riu të ketë hyrë në Shqipëri nga kjo doganë. Sipas tyre, referuar sistemit TIMS, 28-vjeçari ka kaluar nga dogana e Muriqanit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:12
Mjekja në Muriqan: Djali me koronavirus u kontrollua nga 3 punonjëse, nuk kishte shenja klinike (VIDEO)

Mjekja që qëndron në pikën kufitare të Muriqanit, tha se djali i infektuar me koronavirus, P.K 28 vjeç, ka hyrë me makinën e tij personale më 28 shkurt.

Ajo tha se djali në fjalë është kontrolluar por nuk ka pasur shenja klinike. Më tej infeksioni i ka kaluar babait të tij, të cilët sipas ministrisë së Shëndetësisë ndodhen në gjendje të stabilizuar.

"Dogana e Muriqanit ka pasur kontrolle, kemi kohë që i bëjmë kontrollet, dhe kanë qenë 3 punonjësve kur personi ka kaluar nga zona e Firences. Periudha e inkubacionit nuk është më 14 ditë, koha që personat duhet të ruhen nga infektimi, janë 28 ditë, personi ka qenë pa shenja klinike", tha mjekja.

Ajo tha në një komunikim për mediat, se masat në pikën kufitare nuk kanë munguar, ashtu si në pajisjet personale mbrojtëse për personelin mjekësor, ashtu edhe me termometër për të matur temperaturën e udhëtarëve.

Ora 10:09
Pika kufitare e Hanit të Hotit hedh poshtë ministrinë e shëndetësisë: S'ka kaluar nga ne, por nga Muriqani (VIDEO)

Dogana e Hanit të Hotit hedh poshtë pretendimet e Ministrisë së shëndetësisë, të cilët mohojnë që 28-vjeçari me koronavirus të ketë hyrë nga kjo pikë kufitare. Referuar të dhënave të sistemit TIMS, sipas kësaj dogane, 28 vjeçari me inicialet P.K.  nuk rezulton të ketë kaluar nga Hani i Hotit, por nga Muriqani.

Ora 01:44
DETAJET/ 54 dhe 28 vjeç, sa qëndruan në Itali dhe nga udhëtuan për në Shqipëri babë e bir, infektuar me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë dha informacione më të detajuara për babë e bir që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

Dy qytetarët e konfirmuar me koronavirusin e ri, babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale.

Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP. Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv.

Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve.