Shënojnë rënie rastet me virusin HMPV në Kinë, thonë zyrtarët

Shënojnë rënie rastet me virusin HMPV në Kinë, thonë zyrtarët

Foto ilustruese

Shkalla e infektimeve me virusin e ngjashëm me gripin, metapneumovirus (HMPV), është duke shënuar rënie në veri të Kinës, thanë zyrtarët shëndetësorë të dielën.

Rritja e rasteve me HMPV javë më parë kishte ngjallur frikën për përhapjen e një pandemie në mbarë botën.

HMPV-ja, e cila i përket të njëjtës familje si virusi sincicial respirator, shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose ftohjen, përfshirë ethe, kollë dhe kongjestion nazal.

Simptomat shpesh zhduken vetë, megjithëse ato mund të shkaktojnë infeksione të traktit të poshtëm respirator te fëmijët, tek të moshuarit dhe te ata me imunitet të kompromentuar.

"Metapneumovirusi njerëzor nuk është virus i ri, sepse ka qenë i pranishëm te njerëzit për të paktën disa dekada", tha Wang Liping, hulumtuese në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjatë një konference për shtyp nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës.

Wang shtoi se rritja e rasteve të virusit në vitet e fundit, i zbuluar për herë të parë në Holandë në vitin 2001, lidhet me metoda më të mira zbulimi.

"Aktualisht, shkalla e rasteve pozitive në zbulimin e metapneumovirusit njerëzor po luhatet, ndërsa shkalla e rasteve pozitive në provincat veriore është në rënie, dhe shkalla e rasteve pozitive te pacientët nën moshën 14-vjeçare ka filluar të bjerë", tha ajo.

Shqetësime u rritën ditët e fundit lidhur me rritjen e infeksioneve me HMPV në Kinën veriore, pasi u shpërndanë pamje në internet që treguan spitale të mbushura me pacientë me maska. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk është njoftuar për shpërthime të pazakonta të infeksioneve në Kinë apo diku tjetër.

Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues.

Instituti tha asokohe se nuk kishte ndonjë rast me HMPV në Kosovë.

Ekspertët thonë se HMPV-ja nuk është si COVID-19, pasi ka qenë i pranishëm për dekada dhe ekziston një imunitet i ndërtuar kundër tij. Shumica e fëmijëve infektohen me këtë virusin deri në moshën 5-vjeçare.

Wang tha se sëmundjet respiratore që po i prekin njerëzit në këtë kohë në Kinë, shkaktohen nga patogjenë të njohur dhe nuk janë shfaqur sëmundje të reja infektive.

Numri i pacientëve në klinika dhe reparte të emergjencës në mbarë vendin është në rritje, por përgjithësisht më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha Gao Xinqiang, zëvendësdrejtor i Departamentit të Reagimit të Urgjencës Mjekësore të komisionit të shëndetësisë.

Numri i të prekurve nga gripi në të gjithë vendin pritet të bjerë gradualisht në mesin ose fundin e janarit, tha Hu Qiangqiang.

Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për HMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik dhe virusi zakonisht kalon vetë.

Ekspertët këshillojnë masa parandaluese kundër marrjes së virusit dhe sëmundjeve të tjera respiratore, sic është larja e duarve rregullisht, shmangia e vendeve të mbipopulluara dhe bartja e maskës në vende të mbipopulluara./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Nga Polonia në Slloveni, Jurgen Çelhaka ndryshon ekip

Zyrtare/ Nga Polonia në Slloveni, Jurgen Çelhaka ndryshon ekip