Shërbimi satelitor, Ministri i Mbrojtjes: Do të evidentohen parcelat me kanabis! Shqipëria akses në 2 satelitë që do i bashkohen flotës

Nënshkruhet Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milion dollarë.

Në prezantimin e këtij shërbimi të ri që do të marrin institucionet shqiptare, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se kjo kontratë përfaqëson një kapërcim teknologjik për Shqipërinë dhe për institucionet tona.

“Kjo kontratë ka vlerën 6 milionë dollarë. Kjo kontratë konsiston në përdorimin  ekskluziv të 2 satelitëve, për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj. Shqipëria do të ketë akses prioritar në dy nga satelitët që pritet t'i bashkohen flotës së Satellogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me SpaceX, i cili do të quhet "Albania-1" dhe "Albania-2", sqaroi ministri Peleshi.

Ministri shpjegoi me detaje shërbimet që do të marrin institucionet shtetërore shqiptare.

“Së pari Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës. Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara”,u shpreh Ministri I Mbrojtjes.

Sipas tij, në fushën e turizmit do të shërbejë edhe duke dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare, si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj.

Ai shtoi se, shërbimi satelitor do të ketë përdorim të gjerë në fushën ushtarake. “Këtë vit ne përdorëm dronët “Puma” për kontrollin e zjarreve dhe pamë një ndryshim shumë të madh, por sa i përket menaxhimit të situatave të tilla, kursim dhe eficiencë të burimeve financiare për shkak se deri dje na duhej helikopteri për të bërë fotografime e sipërfaqeve me zjarre që kushtonte, dhe me dronet “Puma” ishte minimal”, theksoi ministri.

 “Një bazë të dhënash është një pasuri e madhe sepse duke instaluar aty inteligjencën artificiale dalin aty informacione të jashtëzakonshme që mund të na ndihmojnë në vendimmarrjen në të ardhme. Nuk e fillojmë nga zero, duhet thënë se është bërë një punë shumë e madhe në kuadrin institucional, ligjor”, u shpreh ministri.


Lajmi kryesor:

Satelitët, firmoset marrëveshja! Rama: Një kryeinspektoriat në qiell! Krijojmë bazë të dhënash në funksion të programimit të të nesërmes (VIDEO)


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja