TIRANË- Një kryeinspektoriat në qiell që do të ketë sy në të gjithë territorin e vendit, që nuk do të ketë as parti, as kushërinj, as emër të përveçëm. Kështu e përshkroi kryeministri Edi Rama planin për Shërbimin Satelitor, teksa u nënshkrua në ambientet e kryeministrisë kontrata në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit Operatorit “Satellogic USA Inc. 2 satelitët do t’i kushtojnë shtetit shqiptar do t’i kushtojnë 6 milionë dollarë, ose 671 760 000 lekë, për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh.K

Kryeministri Edi Rama u shpreh se me satelitët nuk do të ketë mundësi që të ndërtohen katet pa leje pa u vënë re që në momentin që nisin. Po ashtu shumë shpejt, shteti shqiptar do të mattë dronë të armatosur, që sipas Ramës do të jenë për raste ekstreme kundër terrorizmit apo një armiku potencial.

“Me lëshimin e këtyre satelitëve, ne hyjmë në një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, në funksion të luftës kundër korrupsionit, në funksion të forcimit të shtetit dhe në funksion të barazisë përpara ligjit, por edhe në funksion të së drejtës së barabartë për të përfituar nga gjithë mbështetja shtetërore”, tha Rama. 

Sakaq gjatë fjalës së tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se 2 satelitët do të ndihmojnë për të marrë informacione që do të parandalojnë aktet kriminale. Sipas Peleshit të gjitha ministritë do të marrin informacione nga satelitët 'Albania 1' dhe 'Albania 2'.

“Kjo kontratë konsiston në përdorimin  ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj”.

Ndër të tjera, ky shërbim do t’ju mundësojë institucioneve përfituese marrjen e imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive.

Disa nga përfitimet për  çdo sektor nga Shërbimi Satelitor

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës.

Informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore

Monitorim rrjetit të kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive

Informacion për cilësinë e ujërave bregdetare si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj.

Përdorim të gjerë në fushën ushtarake, me dronët “Puma” për kontrollin e zjarreve

Policia e Shtetit do të ketë të mundur marrjen e informacionit për kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin apo prerjen e paligjshme të pyjeve, gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e shtratit të lumenjve, shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura, kalimin e paligjshëm në pikat kufitare

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:15
Plani i Shërbimit Satelitor, Tabaku: Justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 mln €

1664375374_tabaku6.jpg

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar mbi planin e shërbimit satelitor nga qeveria. Marrëveshja që u nënshkrua sot sipas deputetes është justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 mln euro

‘ER ka premtuar satelitë për të verifikuar ndërtimet pa leje. Çudi si na duhet 150 km mbi tokë për të parë diçka që dallohet lehtësisht mes Tiranës. Justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 mln € në këtë kohë, kur i kërkon sakrifica dhe vetë shpërdoron taksat e tyre!’- shkroi Tabaku.

Ora 10:41
Rama: Do të marrim dronët e armatosur, do jenë shumë shpejt në dispozicion

 

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se shumë shpejt Shqipëria do të marrë dronë të armatosur.

‘E fundit që kam është se satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët. Me zhvillimet e reja kemi vendosur të marrim dronë të armatosur që janë për raste ekstreme kundër terrorizmit apo një armiku potencial por dronët kanë një tërësi funksionesh në komplemantaritet, duke qenë në dinamikë të vazhdueshme duke bërë rakordime apo thellime të të dhënave edhe dronët shumë shpejt do të jenë në dispozicion. Nuk ka qenë një proces i lehtë janë angazhuar disa institucione në koordinim nga Ministria e Mbrojtjes. Qysh prej vitit që vjen pozicionin tonë në luftën e kontrollit të plotë të monitorit. Shtetit shqiptar janë më të fortë me këto instrumenta.’- tha Rama.

Ora 10:34
Shqipëria satelitore, Rama: Do t’i japë përgjigje përfundimtare edhe ndërtimeve pa leje! Sheh gjithçka me perfeksion

 

Një Shqipëri me satelit në hapësirë do t’i japë përgjigje një debati shumë të madhe që po bëhet kohët e fundit për ndërtimet pa leje në Tiranë.

“Në aktualitetin e ditëve të sotme, ndër të tjera besoj të gjithë ju dhe opinion publik në tërësi po ndjekim një debat që ka nisur pasi qeveria mori një vendim ekstrem për të marrë masa për ndërtimet pa leje. Debati i ushqyer me shumë urrejtje dhe mllef dhe për fat të keq me karakteristikën e debateve në përgjithësi ku argumenti dhe logjika janë të dominuara nga urrejtja dhe udhëhiqet nga një pyetje e vetme: po si nuk e pe ti këtë kullë, atë pallat apo atë kat pa laje.

Ky debat për këtë temë ka një natyrë që lidhe me ngrehinat e larta në qytet apo qytete por në fakt lidhet me një marrëdhënie të shtetit në terren me ligjin dhe me qytetarët, me interesin publik dhe me korrupsionin. Me zbatimin e detyrave dhe me ryshfetin. Beteja më e madhe dhe më e gjatë në një proces shtet ndërtimi është beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh që funksionojnë si një e tërë.

Këto ngrehina ndërtimesh pa leje janë rezultat i mosfunksionimit të hallkave, sidomos atij gjyqësor, që funksion për të pambrojturit dhe nuk funksionon për të fortët. Sa janë rastet e personave që kanë kryer krime të rënda të të gjitha llojeve, që Policia i ka ekspozuar para një prokurorie dhe një gjykate dhe që i ka dështuar shteti vetë për shkak të një prokurori apo gjykatësi. Nuk kemi raste flagrante të kësaj natyre që kanë ardhur për shkak të atyre që e kanë kaluar vettingut.

Qeveria ka marrë një vendim ekstrem që ka rrjedhur si rezultat i dinamikës së një lufte, që unë e kam nisur që kur hyra në politikë, për të luftuar abuzimet në territori. Prokurorë dhe gjykatës mbajnë peng procese penale për ndërtues të caktuar, me siguri padie, që nuk na ka lejuar që t’i prishim ndërtimet. Dhe na ka detyruar të gjejmë këtë zgjidhje.

Për të gjithë ata që na kanë qeshur unë sot mund t’i them se do të kemi një inspektorat në qiell, i cili nuk ka parti, nuk ka kushërinj, nuk ka emër të përveçëm por një sy që i shikon të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë mundësi që të ndërtohen katet pa leje pa u vënë re që në momentin që nisin. Kjo nuk do të varet më nga inspektorë apo policë që herë pas herë nuk kanë sy fare për të parë nëse një pallat aty pranë shton dy kate, sepse sytë ia mbyll paraja”, tha Rama.

Ora 10:24
Shërbimi satelitor, Ministri i Mbrojtjes: Do të evidentohen parcelat me kanabis! Shqipëria akses në 2 satelitë që do i bashkohen flotës

Nënshkruhet Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milion dollarë.

Në prezantimin e këtij shërbimi të ri që do të marrin institucionet shqiptare, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se kjo kontratë përfaqëson një kapërcim teknologjik për Shqipërinë dhe për institucionet tona.

“Kjo kontratë ka vlerën 6 milionë dollarë. Kjo kontratë konsiston në përdorimin  ekskluziv të 2 satelitëve, për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj. Shqipëria do të ketë akses prioritar në dy nga satelitët që pritet t'i bashkohen flotës së Satellogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me SpaceX, i cili do të quhet "Albania-1" dhe "Albania-2", sqaroi ministri Peleshi.

Ministri shpjegoi me detaje shërbimet që do të marrin institucionet shtetërore shqiptare.

“Së pari Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës. Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara”,u shpreh Ministri I Mbrojtjes.

Sipas tij, në fushën e turizmit do të shërbejë edhe duke dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare, si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj.

Ai shtoi se, shërbimi satelitor do të ketë përdorim të gjerë në fushën ushtarake. “Këtë vit ne përdorëm dronët “Puma” për kontrollin e zjarreve dhe pamë një ndryshim shumë të madh, por sa i përket menaxhimit të situatave të tilla, kursim dhe eficiencë të burimeve financiare për shkak se deri dje na duhej helikopteri për të bërë fotografime e sipërfaqeve me zjarre që kushtonte, dhe me dronet “Puma” ishte minimal”, theksoi ministri.

 “Një bazë të dhënash është një pasuri e madhe sepse duke instaluar aty inteligjencën artificiale dalin aty informacione të jashtëzakonshme që mund të na ndihmojnë në vendimmarrjen në të ardhme. Nuk e fillojmë nga zero, duhet thënë se është bërë një punë shumë e madhe në kuadrin institucional, ligjor”, u shpreh ministri.